Në prag të finales së madhe të Kupës së Maqedonisë, e cila është planifikuar të zhvillohet më 21 maj, në ambientet e Federatës së Futbollit të Maqedonisë u mbajt një takim mes presidentit Masar Omeragiq dhe përfaqësuesve të dy klubeve finaliste: Struga Trim Lum dhe Vardari.
Gjatë këtij takimi, u diskutua kryesisht rreth organizimit të ndeshjes finale, e cila pritet të shndërrohet në një festë të vërtetë të futbollit vendor. Të dyja palët theksuan rëndësinë e respektimit të “fair-play”-t, me qëllim që ndeshja të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që fituesi të përcaktohet në frymën e sportivitetit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komisionit të Arbitrave, të cilët po përgatiten për përdorimin e sistemit VAR, që do të implementohet në këtë përballje finale. Kujtojmë se sistemi VAR u përdor edhe në finalen e vitit të kaluar dhe mbetet pjesë e planit të presidentit Omeragiq, i cili ka paralajmëruar se kjo teknologji do të zgjerohet edhe në ndeshjet e Ligës së Parë duke nisur nga sezoni 2025/26.
Federata e Futbollit e Maqedonisë është zotuar se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një organizim të nivelit të lartë, duke vënë theksin në interesin e dy klubeve pjesëmarrëse dhe të tifozëve që pritet të mbushin tribunat.
Për fund, kujtojmë se finalja e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2024/25 do të zhvillohet më 21 maj, në arenën “Todor Proeski” në Shkup.