FIFA ka zbuluar trofeun zyrtar të Kupës së Botës për klube të vitit të ardhshëm. I krijuar nga FIFA, trofeu është bërë në bashkëpunim me markën botërore të bizhuterive luksoze Tiffany & Co. Ai do t’i jepet për herë të parë fituesve të turneut, i cili do të zhvillohet në Amerikë, nga datat 15 qershor deri më 13 korrik.
“Inovative, gjithëpërfshirëse, revolucionare dhe vërtet globale, Kupa e re e Botës për klube me 32 ekipe meriton një trofe që përfaqëson të gjitha këto cilësi”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që shtoi: “Është sa prestigjioz dhe i përjetshëm, një trofe i artë që është simbol i së ardhmes dhe i frymëzuar nga e kaluara”.
“Skuadra që ngre këtë trofe do të ketë në duart e saj botën e futbollit. Po shkruajmë historinë dhe mezi po pres fillimin e një epoke të re për futbollin”, tha Infantino. Trofeu është prej ari 24 karatësh. Ai përmban mbishkrime të gdhendura me lazer në të dyja anët, duke shfaqur tekst dhe imazhe që portretizojnë historinë e futbollit.
Mbishkrimet përfshijnë një hartë botërore dhe emrat e të gjithëve 211 federatave të anëtarësuara në FIFA. Disku qendror i trofeut tregon një seri ikonash që kapin traditat e futbollit, duke përfshirë simbolet e stadiumit dhe pajisjeve dhe një hartë botërore. Trofeu mund të shndërrohet nga një mburojë në një strukturë shumëplanëshe dhe orbitale, një dizajn i adaptueshëm që krijon një strukturë të fuqishme vizuale.