E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Fillon ndërtimi i shkollës në Sellcë!

Nga ana tjetër, paralajmërimet më serioze kanë ardhur nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i cili thotë se sapo të mbarojë përzgjedhja e operatorit ekonomik do të hidhet gur-themeli për objektin e shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës

 

Urim HASIPI

Tetovë, 9 nëntor – Një objekt i destinuar për shkollë i cili kishte filluar të ndërtohet para 20 viteve në fshatin Sellcë të komunës së Tetovës, dështoi të realizohet për shkak të erozionit të dheut dhe objekti si i tillë i papërfunduar qëndron ende. Më pas, ishte kërkuar një lokacion tjetër për të ndërtuar objekt të ri shkollor, por nuk ishte gjetur vend i përshtatshëm, me arsyetimin e erozionit të dheut. Shumë Ministra dhe zëvendësministra të arsimit kanë premtuar një përkushtim të veçantë për ndërtimin e shkollës në këtë fshat por deri më tani nuk është bërë asnjë hap përpara. Por, derisa ministrat vinin e shkonin, ky fshat mbeti pa objekt të ri shkollor dhe kanë kaluar shumë gjenerata që kanë ndjekur mësimin në shkollën e vjetër dhe nuk arritën që të mësojnë në objekt që do të plotësonte të gjitha kushtet për ndjekje të mësimit në kushte normale dhe moderne.

Nga ana tjetër, paralajmërimet më serioze kanë ardhur nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i cili thotë se sapo të mbarojë përzgjedhja e operatorit ekonomik do të hidhet gur-themeli për objektin e shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës. Ai është shprehur optimist se kjo gjë do të ndodhë së shpejti por pa përcaktuar datë ekzakte. Këtë objekt banorët e fshatit Sellcë e presin me vite të tëra pasi objektet ekzistuese ku nxënësit ndjekin mësim janë në kushte shumë të këqija.

“Është në procedurë të përzgjedhjes së operatorit ekonomik, nuk e di edhe sa ditë kanë mbetur, 15 ose 20, do të jemi transparent me opinionin dhe shpresoj që brenda këtij viti, sa të mbarojnë punët e operatorit ekonomik të kemi mundësinë që të hedhim gurë themelin për shkollën e Sellcës”, tha ministri, Jeton Shaqiri.

Nxënësit e fshatit Sellcë mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion. Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023. Nga komuna e Tetovës theksuan se shpresojnë që kjo të realizohet dhe mos të mbetet vetëm premtim. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, disa herë është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Ministrin e Arsimit për të investuar në infrastrukturën e objekteve arsimore. Ndërtimi i objektit të ri shkollor në këtë fshat ka qenë një kërkesë e kamotshme e banorëve të këtij fshati, pasi që fëmijët mësojnë në një objekt tepër të vjetër i cili përveç disa ndërhyrje sipërfaqësore nuk është rikonstruar tërësisht. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm