E premte, 8 Nëntor, 2024
-1.2 C
Skopje

FITOI I PREFERUARI I MICKOSKIT: A do të shtrijnë dorën Sofja e Shkupi?

Mickoski e sheh Borisovin si partner më të mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe në krahasim me liderët e tjerë bullgarë dhe beson se zgjedhja e GERB-it do të jetë një hap pozitiv për marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve

Zenel MIFTARI

Shkup, 28 tetorSipas parashikimeve, koalicioni properëndimor i qendrës së djathtë GERB-SDS u bë sërish forca më e fortë pas zgjedhjeve parlamentare të djeshme në Bullgari . Sipas sondazheve të Gallup International Balkans dhe Alpha Research, Gerb-SDS ka arritur rreth 25 për qind të votave. Koalicioni i orientuar drejt reformave PP-DB doli në vendin e dytë me rreth 15 për qind të votave. Kjo përafërsisht korrespondon me shifrat e treguara nga sondazhet para zgjedhjeve. Në vendin e tretë është partia nacionaliste dhe pro-ruse Rilindja ku ka arritur afër 13 për qind.

Kryeministri Hristian Mickoski sot duke i komentuar zgjedhjet në Bullgari, theksoi se shpreson se në shtetin fqinj do të formohet qeveri, me të cilën do të munden të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për zhbllokimin e rrugës së vendit në BE.  Pret Qeveri nga të paktën tre partnerë, ndërsa për fitoren e partisë GERB, e kryesuar nga Bojko Borisov, përsëriti se ato janë nga familja e njëjtë, gjegjësisht nga Partia Popullore Evropiane.

“Pres qeveri që do të ketë të paktën tre partnerë. Shifrat variojnë, 67 apo 70 deputetë ka koalicioni GERB – SDS, gjithashtu këtu është edhe koalicioni Bullgaria Demokratike dhe Ndryshimet vazhdojnë, që pres të ketë nga 44 deri në 47, kështu që në thelb pa ata dy nuk mund të formohet qeveri. Tani do të shohim se si do të zhvillohen gjërat atje. Shpresoj se do të ketë qeveri, nuk do të ketë zgjedhje të teta me radhë dhe se do të mund të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje për të zhbllokuar rrugën tonë, rrugën e Maqedonisë drejt BE-së”, deklaroi sot Mickoski.

Mickoski theksoi se sipas rezultateve të para nëntë parti do të hyjnë në Parlament dhe siç tha, do të ketë mozaik interesant në kuadër të shtëpisë ligjvënëse bullgare.  Kryeministri gjatë fundjavës deklaroi se nuk mund të veçojë se kush do të ishte bashkëbisedues më i mirë në Sofje, por se është logjike se dëshiron të fitojë partia e Bojko Borisovit me të cilën janë pjesë e Partisë Popullore Evropiane.

 “Nuk do të mund të veçoj se kush do të jetë bashkëbisedues më i mirë, por mund të them se me partinë GERB të  cilën e udhëheq Bojko Borisovi jemi në familje të njëjtë në Partinë Popullore Evropiane dhe është logjike që të dëshiroj parti politike e cila vjen nga familja jonë të fitojë në zgjedhje”, tha Mickoski

Ndërkaq, ish diplomati Muhamed Halili, për gazetën KOHA ka thënë se nuk e sheh problem se kush do fitoj zgjedhjet, sepse edhe herën e fundit zgjedhjet i fitoi Borisovi. Sipas tij, e rëndësishme është se cilat parti politike do të formojnë Qeverinë e ardhshme në Bullgari, pasi me numrat aktual është e pamundur të formohet qeveri pa partnerë koalicioni.

“Besoj se Qeveria e ardhshme në Bullgari do të jetë Qeveri e koalicionit të partive politike të cilat kanë qëndrim të njëjtë për çështjen rim maqedonase. Fundja problemi ka lindur dhe është problematizuar në kohen kur ish kryeministri Zoran Zaev e shpalli vëlla liderin bullgar të Bojko Borisov”, ka deklaruar Halili.

Në ditën e zgjedhjeve, Borisov dërgoi sinjale të përziera rreth kombinimeve të mundshme të koalicionit. Menjëherë pas votimit të dielën, ai tha: “Unë jam gati të punoj me të gjithë ata që janë të gatshëm të mbështesin programin tonë.

Megjithatë, ai sqaroi se partia pro-ruse Rilindja nuk është një partner i mundshëm koalicioni, pasi “ne jemi në familjen evropiane dhe nuk mund të lejoj që kjo të ndodhë”. Ai kritikoi gjithashtu kundërshtarët e tij, duke thënë se ata që “flasin me zëra që dridhen në TV” nuk duhet të përpiqen të vendosin kushte ndaj partisë së tij, ndoshta duke iu referuar deklaratave të Ne Vazhdojmë Ndryshimin se çdo bashkëpunim me GERB-in do të duhej të fillonte me ligjet kundër korrupsionit. Për Borisovin, pyetja e vështirë do të jetë nëse do të kërkojë bashkëpunim me Peevskin – diçka që pothuajse ndodhi në fillim të këtij viti para ndarjes në MRF – apo nëse ai do të preferojë të mbajë distancën nga oligarku.

Bullgaria zgjodhi një parlament të ri për herë të shtatë në më pak se katër vjet, 19 parti dhe aleanca morën pjesë në zgjedhje. Dy kampet rivale pro-perëndimore, GERB-SDS dhe PP-DB, kanë qeverisur së bashku deri në pranverë – por për më pak se një vit. Për shkak të mosmarrëveshjeve të opinioneve për kursin e reformës dhe luftën kundër korrupsionit, koalicioni i tyre u shpërbë. Bullgarët, tashmë të lodhur nga zgjedhjet, zgjodhën një Parlament të ri më 9 qershor, por formimi i një qeverie dështoi për shkak të vështirësive në sigurimin e shumicës parlamentare për të mbështetur qeverinë. Është emëruar një qeveri e përkohshme dhe do të qëndrojë në detyrë deri në formimin e një qeverie të rregullt. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm