Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është një ndër pak vendet që kanë një statujë të ish-presidentit Bill Klinton. Momunenti i ngjyrosur me ar paraqet burrështetasin amerikan me dorë të ngritur në një gjest që nënkupton lidership, por që më shumë ngjason me thirrjen e një taksie, shkruan revista prestigjioze The Economist. Por, shkëlqimi i statujës është zbehur, ashtu siç është zbehur ndikimi dhe pushteti i Klintonëve në Ballkan. Disfata e Hillary dhe fitorja e Trump janë ogur i keq për të ardhmen e Kosovës dhe Ballkanit perëndimor në përgjithësi. Fitorja e Trump e ka trimëruar presidentin autoritar rus, Vladimir Putin, ky i fundit një mik i Serbisë dhe nacionalistëve serbë në Bosnjë dhe armik i paepur i vet ekzistencës së shtetit të Kosovës. Gjithashtu, kjo mund ta inkurajojë Turqinë që të shtrijë ndikimin e saj ndër muslimanët e Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë. Ëndrrat e vendeve të Ballkanit perëndimor për tu bërë shtete me të drejta të plota të një Bashkimi Evropian prosperues dhe të bashkuar kanë filluar të zbehen, transmeton gazetametro.net. Në Beograd, një kandidat presidencial festoi fitoren e Trump në parlament duke i sugjeruar presidentit serb që të dëbojë muslimanët dhe të bashkojë forcat me Putinin. Në Moldavi, Igor Dodon fitoi zgjedhjet kundër një kandidati proevropian duke reklamuar afërsinë e tij me Trump dhe kishën ortodokse. Në Bullgari gjithashtu festoi një pro-rus, kurse qeveria e Malit të Zi i ka akuzuar nacionalistët rusë dhe serbë se planifikuan të vrisnin kryeministrin në largim Milo Gjukanoviq. Të alarmuar nga Rusia dhe pretendimet e saj, muslimanët e regjionit po kthehen kah lideri turk Erdogan. Ambasadori turk në Bosnjë, më 14 nëntor, gjatë një fjalimi nënvizoi “historinë e përbashkët të popujve tanë”. Kështu, popullsia e vendeve të Ballkanit po zvogëlohet. Rinia po migron drejt shteteve prosperuese evopiane. Ata që mbeten ka rrezik që të adoptojnë figura si Trump, Putin apo Erdogan si modele për tu ndjekur. Derisa statuja e zotit Klinton zbehet, ashtu ndodh edhe me vlerat evropiane dhe perëndimore.
Artikuj të ngjajshëm

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër