Draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i pranuar në parim nga Qeveria e Kosovës javë më parë, sipas ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla “nuk është shumë i mirë” në përmbajte, por një “bazë e mirë për të punuar me të”.
Përmbajtja e këtij draft-statuti i përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar, sipas Gërvallës, nuk është shumë i mirë, meqë parasheh mjaft sfida për institucionet e Kosovës.
Ndonëse përmbajtja nuk i ka pëlqyer ministres, ajo ka garantuar se e njejta nuk parasheh asnjë lloj autonomie për Veriun e Kosovës.
“Drafti nuk ofron asnjë lloj autonomie për Veriun e Kosovës dhe nuk është fer pyetja sepse përgjigja nuk varet nga ne”, potencoi Gërvalla.
Në një prononcim përpara gazetarëve, kryediplomatja, ka theksuar ndër të tjera se draft-statuti i Asociacionit, i cili ka ende statusin konfidencial dhe publiku nuk mund ta sheh edhe për një kohë, “respekton shumë prej shqetësimeve tona”.
“Unë ju siguroj që nuk ka asnjë tentativë asnjë përpjekje asnjë vullnet asnjë dëshirë të kësaj qeverie dhe në përgjithësi të institucioneve për të pranuar draftet të cilat janë në dëm të Republikës së Kosovës. Kemi marr besimin qytetarë me premtime të mëdha dhe ato premtime nuk do t’i shkelim në asnjë aspekt” /Albanianpost.com