Kuadri po mungon pasi me vite nuk është krijuar, ku punëtorët cilësor ikën jashtë dhe tani nevojitet kohë që të plotësohet ky boshllëk i këtyre punëtorëve që kërkohen në treg. Njëherësh Gjermania ka etje të vazhdueshme për fuqi punëtore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 tetor – Vite me radhë ndër punëtorët që më lehtë gjejnë punë në shtetet perëndimore janë zanatlinjtë e profileve të ndryshme. Për çdo ditë po publikohen edhe shpallje pune në rrjetet sociale për mjeshtër për shembull që punojnë me gips për paga prej 2200 euro, ku ofrohen akomodim falas, leje pune, sigurim si dhe transport i organizuar. Nga ana tjetër, mungesa e zanatlinjve po vërehet jo vetëm nga qytetarët që vështirë mund të gjejnë mjeshtër edhe për riparime të ndryshme, mirëpo edhe kompanitë ndërtimore ankohen se vështirë po gjejnë punëtorë.
Sipas njohësit të kësaj problematike, Nikolla Velkovski, problemi i mungesës së punëtorëve të ndërtimtarisë si – suvatues, instalues së ujit, molerëve… është i vjetër mirëpo sivjet falë odave ekonomike dhe bizneseve më të mëdha që ofrojnë trajnime kemi më shumë nxënës që po regjistrohen në shkollat e mesme profesionale si kërkesë e vjetër e biznesit. Pra kuadri po mungon pasi me vite nuk është krijuar, ku punëtorët cilësor ikën jashtë dhe tani nevojitet kohë që të plotësohet ky boshllëk të këtyre punëtorëve që kërkohen në treg. Në ndërkohë Gjermania si motori ekonomik i Evropës ka etje të vazhdueshme për fuqi punëtore. Aktualisht kërkon afër 2 milionë punëtorë në sektorë të ndryshëm.
Ekspertët e punësimit thonë se nevoja në 5 vitet e ardhshme do të vijë vetëm në rritje. Ato shtojnë se nga Gjermania kërkesa për fuqi punëtore edhe të pakualifikuar dhe pa njohuri gjuhe, vetëm rritet si punonjës ndërtimi, fabrikash, fasonerish. E në të njëjtën kohë ka kërkesa të madhe edhe për punonjës më të kualifkuar si mekanikë, hidraulikë, elektricistë, kuzhinierë. Për të mos folur për turizmin që Gjermania ka kërkesa shumë të mëdha, duke filluar që nga kamerierët, etj. “Ajo që vëmë re, në ndryshim nga vitet e fundit shikojmë që Gjermania po kërkon edhe punonjës të pakualifikuar, me një arsim të thjeshtë. Pra nëse deri dje kërkonin mjekë, infermierë apo pozicione inxhinierike, kjo shifër e madhe lidhet fort tashmë me nevojën për punonjës të thjeshtë si mekanikë të thjeshtë, elektricistë të thjeshtë, punonjës transporti, shoferë, punëtorë ndërtimi, fasonerie, fabrike dhe një sërë pozicionesh të tjera, ku nuk kërkohet kualifikim i lartë. Shikojmë se edhe gjuha gjermane nuk po kërkohet më, nuk është më kriter për të marrë vizën e punës. Po shkojmë drejt faktit që një punëtorë nga Ballkani mjafton të ketë dëshirë të punojë dhe mund t’i krijohet mundësia për të shkuar në Gjermani”, thonë ekspertët e kësaj fushe.
Gjithashtu Gjermania po kërkon punëtorë edhe nga vende tjera, dhe jo vetëm nga Ballkani. Siç njoftoi Instituti për Ekonominë Gjermane (IW), në fund të vitit 2022, më shumë se 630.000 vende pune u raportuan në agjencitë e punësimit në Gjermani, të cilat nuk mund të plotësoheshin për shkak të mungesës së një fuqie të caktuar punëtore. Në kërkimin e saj për fuqi punëtore, Gjermania synon të fokusohet në vende jashtë Evropës, si Brazili, Meksika dhe Indonezia, tha Ministri i Punës Hubertus Heil.
“Së bashku me përfaqësuesit e ekonomisë, ne po punojmë për një strategji në vendet ku ka shumë më shumë punëtorë të rinj dhe të kualifikuar në tregun e punës sesa mund të thithin tregjet vendase të punës”, tha Ministri Heil (Partia Social Demokrate e Gjermanisë, SPD) në një intervistë me të përditshmen Neue Osnabruecker Zeitung. Heil tha se do t’i kushtohet vëmendje që të mos privohet tregu i brendshëm i punës nga ekspertët e nevojshëm. Ai tha se ishte një situatë “win-win”.
“Ne përfitojmë, por edhe vendet e origjinës. Do të investojmë në formimin profesional të të rinjve aty për aty dhe personat që do të vijnë në Gjermani do të përfitojnë nga një punë e mirëpaguar që u jep mundësinë të financojnë familjet e tyre në shtëpi”, tha Heil. (koha.mk)