E shtunë, 25 Janar, 2025
1.8 C
Skopje

GJUHA SHQIPE, ZYRTARE APO E PËRKTHYER?! Deklarata e Gashit konsiderohet si skandal i radhës

Sipas kryeparlamentarit Gashi, gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut ka statusin e gjuhës së përkthyer, ndërsa maqedonishtja është e vetmja gjuhë zyrtare me të cilin komunikojnë institucionet. Fronti Europian e quan këtë deklaratë të turpshme, ndërsa kërkojnë dorëheqje të menjëhershme të Gashit nga pozita e kryetarit të Parlamentit

Ersan PAJAZITI

Shkup, 27 dhjetor – Përderisa gjuha shqipe dhe përdorimi i saj ka qenë një nga temat më të spikatura, e cila muajve të fundit të vitit është diskutuar vazhdimisht në opinion edhe për faktin e asaj që Gjykata Kushtetuese ka në procedurë shqyrtimin e disa neneve që ka të bëjë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, një koment rreth gjuhës shqipe vjen nga kreu i Parlamentit, Afrim Gashi. Sipas tij, gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut ka statusin e gjuhës së përkthyer, ndërsa maqedonishtja është e vetmja gjuhë zyrtare me të cilin komunikojnë institucionet.

“Në bazë të Ligjit edhe të ri të përditësuar për gjuhën maqedonase, i cili u votua në fillim të vitit 2024 nga shumica e atëhershme parlamentare, bashkë me partitë shqiptare, por edhe në bazë të Ligjit të gjuhëve të vitit 2018, gjuhë e vetme zyrtare me të cilin shteti komunikon dhe institucionet flasin mes vete është gjuha maqedonase. Gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer”.

Kjo deklaratë e kryparlamentarit Afrim Gashi shkaktoi reagime në opinion, sidomos tek opozita shqiptare. Përmes një konference për media para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Fronti Europian kërkoi dorëheqjen e Afrim Gashit nga pozita e kryeparlamentarit, duke thënë se ky akt i turpshëm nënshtrimi dhe tradhtie tregon jo vetëm mungesën e tij të integritetit, por edhe gatishmërinë për të minuar parimet kushtetuese të këtij shteti, vetëm se për të ruajtur karrigen e tij.

“Le t’ia kujtojmë z. Gashi disa fakte të pakundërshtueshme: Amendamenti V i Kushtetutës përcakton qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike. Në praktikë, gjuha shqipe është një komponent i pandashëm i strukturës institucionale, kulturore dhe shoqërore të vendit tonë -një realitet që nuk mund të fshihet nga asnjë akt servilizmi. Duke mohuar këto të vërteta, Afrim Gashi jo vetëm që ka fyer popullin shqiptar, por ka delegjitimuar vetë postin që mban.”, theksojnë nga Fronti Europian. Sipas koalicionit opozitar shqiptarë detyra e kryetarit të Kuvendit është të mbrojë Kushtetutën, të ruajë harmoninë ndëretnike dhe të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve – jo të përçajë, të mbjellë përçarje dhe të ulë dinjitetin e komunitetit të dytë më të madh etnik në vend.

Përndryshe, sa i përket neneve kontestuese të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën përgatitore më 20 mars të vitit 2025, ku janë përcaktuar çështjet juridike të kontestuara lidhur me iniciativat sipas këtij ligji, si dhe lista e pjesëmarrësve, e cila do të jetë e hapur për opinionin. Pas përfundimit të seancës përgatitore, atyre do t’u duhet jo më shumë se një muaj për të zhvilluar abstraktin në bazë të rezultateve të seancës përgatitore, që do të thotë se më së voni në maj, Gjykata do të vendosë për çështjen. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm