Shkup, 12 shkurt – Gjykata Themelore në Tetovë më në fund ka marrë vendim: kryetari i Aleancës për Shqiptarët është Ziadin Sela dhe vulat e partisë kalojnë te Sela. Në vendimin e gjykatës thuhet se pranohet kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë, respektivisht nga Arben Taravari, te Ziadin Sela. Krahu i Taravarit, sipas vendimit, ka të drejtë në afat kohor prej 15 ditëve që ta ankimojë vendimin në Gjykatës.
“Kërkesa për ta regjistruar ndryshimin e kryetarit të partisë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë, në rrugën ‘V.S. Bato’ nr.1 PRANOHET. Kështu që, në regjistrin gjyqësor të partive politike SHËNOHET: Kryetar i partisë Ziadin Sela nga Struga në vend të kryetarit të deritashëm Arben Taravari nga Gostivari”, thuhet mes tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë. Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, thuhet se në pajtim me Statutin e partisë dhe ligjeve në fuqi, Këshilli drejtues i partisë është organi që definon strategjitë politike të partisë, përgatit dhe i vë kornizat politike si organ më i lartë politik.
“Gjykata vlerëson se sipas nenit 47 të Statutit të partisë, ku është e definuar se kryetarin e partisë e shkarkon Kongresi me 2/3 e delegatëve të Kongresit, si dhe e ka pranuar propozim-shkarkimin e Arben Taravarit nga detyra kryetari i Aleancës për Shqiptarët. Gjithashtu, në pajtim me nenin 53 të Statutit, është theksuar se në të njëjtën mbledhje të Kongres, është rizgjedh kryetar i ri i partisë në pajtim edhe me nenin 46, gjë që janë respektuar normat e Statutit në Kongresin e 4 të jashtëzakonshëm, ku edhe është zgjedhur për kryetar të ri Ziadin Sela nga Struga”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Në arsyetim thuhet se Gjykata e ka refuzuar kërkesën e datës 19 shkurt 2024 të Aleancës për Shqiptarët e shënuar me kryetar Arben Taravari, pasi siç thuhet në vendimin e Gjykatës, Ligji për partitë politike, konkretisht neni 27 nuk lejon tërheqje të tërësishme të Statutit siç kërkoi ASH e Taravarit. Konkretisht, siç thuhet në vendimin gjyqësor, ASH e Taravarit kishte kërkuar që të hidhet poshtë Kongresi i 4 i jashtëzakonshëm i grupit të Ziadin Selës, ndërsa të merret parasysh Statuti i Kongresit të 2 të partisë.
“Kërkesa e ASH-Taravari që të merret parasysh Statuti i 27 marsit 2022 në Kongresin e 2 të rregullt hidhet poshtë, pasi deri në ditën e vendimit, është marrë parasysh Statutit të Kongresit të 3, të mbajtur më 24 dhjetor 2022. Duke patur parasysh faktet e mësipërme, vlerësojmë se kërkesa dhe argumentet e ASH-Sela janë në pajtim me ligjet në fuqi”, thuhet në fund të vendimit të Gjykatës Themelore të Tetovës.