E mërkurë, 12 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

Gjykatësi federal Xhon Mekkonel përkohësisht e bllokon vendimin e Trampit për ngrirjen e financimit federal

Gjykatës federal Xhon Mekkonel, i Gjykatës së Qarkut në Providens, të Roj Ajlend, dje përkohësisht e bllokoi administratën e presidentit amerikan Donald Tramp për ngrirjen e granteve federale, huave dhe ndihmave të tjera financiare.

Vendimi i gjykatësit  Mekkonel erdhi me kërkesë të prokurorëve publikë demokratë nga 22 shtete federale dhe kryeqytetit të SHBA-së, pavarësisht se Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se kishte tërhequr një memorandum nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit që detajisht e ka përshkruar  vendimin e diskutueshëm, i cili u publikua të hënën.

Mekkonel tha se dëshmitë tregojnë se politika e Trampit ende është në fuqi, pavarësisht tërheqjes formale të memorandumit “të gjerë, gjithëpërfshirës dhe të paqartë” nga Zyra për Menaxhim dhe Buxhet të SHBA-së.

Sipas tij, kjo është bërë “vetëm në letër”, ndërsa ndoshta edhe me qëllim që të vështirësohen sfidat ligjore.

Gjykatësi lëshoi ​​një urdhër të përkohshëm me të cilin e ndalon administratën ta pezullojë ndihmën financiare për shtetet federale.

Mekkobeli, i cili u emërua nga ish-presidenti demokrat Barak Obama, theksoi se Kongresi nuk i ka dhënë presidentit “fuqi të pakufizuar për të ngrirë gjerësisht dhe pafundësisht të gjitha fondet e destinuara në mënyrë eksplicite për marrës dhe qëllime specifike”.

Trampi ka lëshuar tashmë urdhra ekzekutivë që kërkon të ngrijë ndihmën e huaj, t’i ngrijë punësimet federale, t’i japë fund programeve të diversitetit në dhjetëra agjenci federale dhe të ndryshojë statusin e punonjësve federalë për t’i bërë më të lehtë shkarkimin e tyre, ndërkohë që u ofron stimuj financiarë miliona punëtorëve që të largohen nga shërbimi civil.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm