Kryetari i Komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinovski, tha se deri më tash në këtë komunë janë hapur shumë zyra rajonale dhe ky trend do të vazhdojë
Urim HASIPI
Tetovë, 31 tetor – Në komunën e Jegunocit vazhdon hapja e zyrave rajonale të shumë institucioneve qendrore të cilët deri më tani kanë funksionuar në Tetovë. Pas hapjes së zyrës për nxjerrjen e dokumenteve personale kësaj radhe për qytetarët e kësaj komune është hapur edhe zyra rajonale e Pyjeve Kombëtare. Në hapjen e kësaj zyre drejtori i Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare” Zdravko Trajanov, tha se hapja e kësaj zyre ka për qëllim që shërbimet për qytetarët të jenë më afër, por njëkohësisht që në koordinim me qytetarët të njëjtët të mbrohen. “Distanca që ekzistonte deri më tani mes qytetarëve dhe kësaj zyre do të tentojmë që ta zvogëlojmë me hapjen e kësaj zyre, ku qytetarët shumë lehtë do të mund të dorëzojnë dokumente, kërkesa për të gjitha nevojat e tyre. Me këtë, qytetarët nuk do të duhet të udhëtojnë deri në Tetovë por në komunën e tyre do t`I kryejnë punët që kanë nevojë”, tha drejtori Trajanov.
Kryetari i komunës së Jegunocit Dimitar Kostadinovski, tha se deri më tash në këtë komunë janë hapur shumë zyra rajonale dhe ky trend do të vazhdojë, ndërsa ritheksoi se zyra e agjencisë për punësime e cila ishte hapur në të kaluarën, e njëjta nuk ka funksionuar dhe pritet që e njëjta sërish të funksionalizohet. “Për një kohë të shkurtër janë hapur shumë zyra rajonale dhe do të vazhdojmë edhe më tej në këtë drejtim që institucionet të jenë sa më afër qytetarët dhe të jenë në shërbim të tyre, sepse udhëtojnë deri në qytet për një dokument të thjeshtë dhe shpresojmë që në të ardhmen krahas zyrës së agjencisë për punësime ta vendojmë në funksion sërish. Poashtu, edhe zyra e librave amë që ka qenë e hapur në Vratnicë e njëjta shpresojmë që sërish do të hapet për ato banorë”, tha Kostadinovksi.
Në ndërkohë, drejtori Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare” Zdravko Trajanov është pyetur se a do të hapen zyra rajonale edhe në komunat tjera në Pollog, ai është përgjigjur se nëse ka kërkesa dhe nevojë nga qytetarët atëherë mund të hapen zyra të tilla por nënvizoi se pritet që shumë shërbime të kësaj ndërmarrje të digjitalizohen dhe qytetarët përmes aplikacionit të parashtrojnë kërkesa dhe të kryejnë punë online duke mos u endur nëpër institucione. Në ndërkohë, deri më tash asnjë zyrë tjetër rajonale nuk është hapur në ndonjë komunë tjetër në rajonin e Pollogut. (koha.mk)