Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, teksa dënoi sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, po i fajëson zyrtarët evropianë për qasje jo të balancuar në raport me dialogun Kosovë-Serbi, mirëpo ia rikujtoi se ishte vetë ai që i kishte zgjedhur ata.
“Kurti fajëson (Josep) Borrellin e (Miroslav) Lajçakun që vetë i ka zgjedhur. Nuk e ka zgjedhur Uashingtonin me kohë, por ka zgjedh Borrellin e Lajçakun dhe i fajëson ata”.
“Mashtrimi nuk kalon. Jemi mashtruar që 2 vite nga mashtruesi. Zhvillimet kanë shkruar në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeri”.
Ndërsa, ai akuzoi Kurtin për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, pohoi ai, kishin propozuar një marrëveshje e cila po të pranohej, gjërat nuk do të shkonin kështu.
“Po të implementohej marrëveshja e arritur, Kosova do ta kishte të nënshkruar partneritetin për paqe. Dy vjet përpara i kam dërguar letër Kurtit, presidentes (Vjosa) Osmani edhe ja ku është dita kur duhet me i folë këto”, ka thënë Haradinaj.
“Ua kam kërkuar, mbështetuni tek Uashingtoni për marrëveshje. Kurti e ka zgjedhur të kundërtën, Borell-in dhe Lajçak-un, dhe i ka ikë Uashingtonit, i ka prishë marrëdhëniet me ta, dhe e ka prishë besimin me ta”.
Ndërkaq, kreu i AAK-së vlerësoi se sikur krerët e shtetit “ta kishin zgjedhur Uashingtonin dy vjet më herët, do ta kishim marrëveshjen për njohje me Serbinë”.
Këto komete Haradinaj i bëri pasi që në raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi më 14 shtator në Bruksel, kreu i ekzekutivit kosovar akuzoi Emisarin Lajçak se po ia mbanë anën e Serbisë.
Haradinaj kërkon “hetim ndërkombëtar” për sulmin terrorist në Veri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ka dhënë mbështetjen e partisë së tij për miratimin e rezolutë që dënon sulmin terrorist ndaj Kosovës, teksa ka kërkuar që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar.
“Ky hetim ndërkombëtar do të ndihmojë, jo vetëm në zbardhjen e involvimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë sponsorët e terrorizmit dhe terroristët”, tha ai.