E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

Haradinaj në cilësinë e dëshmitarit në rastin e 53-milionëshit ku i akuzuar është Pal Lekaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, këtë të premte, pritet të dëshmojë në seancën gjyqësore për rastin e 53-milionëshit, ku i akuzuar kryesor është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

Ndryshe të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kryesisht mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill”, e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të mbikëqyrë projektin, sipas së cilës, për punët shtesë është dashur të paguhen 14 milionë euro, e në të cilin opinion dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e ka prezantuar para Komitetit Ndërministror, duke i hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.

Në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Haradinaj, i cili ishte kryeministër në kohën e ndarjes së këtyre mjeteve, në një interpelancë të mbajtur në Kuvend, kishte thënë se pagesa prej 53 milionë eurove ka qenë e domosdoshme.

Ai kishte akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enka”.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm