“La Turquie” ka botuar, të mërkurën e 21 qershorit 1911, në faqen nr. 2, intervistën ekskluzive me Hasan Prishtinën në Turqi, pas ekzilit tetë mujor në Mal të Zi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar
Një koleg nga Selaniku pati rastin të shihte udhëheqësin e njohur shqiptar Hasan Aga, i cili ishte strehuar në Mal të Zi dhe i cili ishte kthyer në Turqi vetëm tre muaj më parë. Ai ishte i shoqëruar nga dhëndri i tij. Ish-udhëheqësi i kryengritësve na dha intervistën të cilën do të lexojmë:
– Pse u detyruat të strehoheshit në Cetinje?
Për një arsye shumë të thjeshtë. Ditën që u shpall Kushtetuta u gëzova dhe isha ndër të parët që e vura veten tërësisht në dispozicion të qeverisë. Unë isha i sigurt se do të ishim të parët që do të përfitonim nga regjimi i ri. Epo, në vend që të na linin të qetë dhe të na jepnin mjetet për të kontribuar në konsolidimin e regjimit të ri, ata erdhën pa na dhënë shkak, të na sulmonin me topa (predha). Pashë 17 kullat e mia të shkatërroheshin nga predhat. Disa nga njerëzit e mi u vranë dhe ne u trajtuam si armiq.
Pikërisht atëherë u detyruam të strehoheshim në Mal të Zi ku kaluam 8 muaj. Ju e kuptoni se ne jemi nënshtetas besnikë të qeverisë perandorake dhe se u pikëlluam shumë kur pamë se na trajtonin si armiq. Më në fund, pas 8 muajsh në mërgim të detyruar, tre muaj më parë u kthyem në Turqi. Shkuam te kajmekami i qytetit kufitar për të shpallur nënshtrimin tonë ndaj qeverisë perandorake.
– Sigurisht, ju dorëzuat armët?
(Hasan Aga buzëqeshi dhe tha disa fjalë shqip duke shtuar) Konsideroni se ne i kemi dorëzuar armët ; por shton një nga njerëzit e tij, ato na u kthyen sërish. Ne presim tani që qeveria të na kompensojë të gjitha dëmet që unë dhe njerëzit e mi pësuam si pasojë e sulmit të ushtarëve. Prej orës 8 presim të mbërrijë Madhëria e Tij që t’i paraqitemi. Na thuhet se Madhëria e Tij do të na nderojë duke na akorduar një pritje në Prishtinë. Pra, ne do të shkojmë në Prishtinë.
– A jeni këtu me 400 burrat (ushtarët) tuaj?
Në asnjë mënyrë. Erdha me 5 nga njerëzit e mi.
– A e ka bërë Isa Boletini tashmë nënshtrimin e tij?
– Pothuajse. Ai ndodhet në Turqi, por ende nuk është falur, pret derisa të kryhen formalitetet për t’u prezantuar zyrtarisht. Mendoj se është çështje ditësh. Isai do të mund të vijë në Prishtinë dhe të pritet në takim nga Madhëria e Tij.