Sipas ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian mbetet kyç për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të rajonit, por të gjithë Evropës.
Këto komente ai i bëri gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Shërbimeve për Veprimin e Jashtëm të BE-së, Stefano Sannino, në kuadër të Dialogut Raisina, i cili po mbahet në Indi.
Hasani po ashtu theksoi angazhimin e Shqipërisë për t’u lidhur plotësisht me politikën e jashtme të BE-së dhe progresin e saj të rëndësishëm në procesin e shqyrtimit ligjor, si dhe gatishmërinë për të hapur kapituj themelorë.
Ndër të tjera, në vizitën e tij në Indi, Hasani ka pasur mundësi të komunikojë edhe me bizneset vendore atje, ku ka parë mundësi me potencial të madh për investime, tregti dhe partneritet, raportin e Shqipërisë me Indinë.
Kështu theksoi ai gjatë një mëngjesi pune me sipërmarrësit indianë dhe shqiptarë – një takim në të cilin u diskutua rreth mundësive për biznes që Shqipëria ofron.
Hasani ftoi kompanitë indiane ta shohin vendin si një mundësi shumë të mirë investimi dhe të shohin nga afër mundësitë dhe hapësirat e reja që iu ofron Shqipëria, jo vetëm për investime dhe biznes por edhe për tregti e partneritet, duke ndërtuar përmes Shqipërisë historitë e tyre të reja të suksesit në rajon dhe më gjerë.
Ministri Hasani vlerësoi gjithashtu se India përbën një vend me shumë potencial për Shqipërinë dhe forcimi i aleancës mes dy vendeve konsiderohet me interes të lartë, në aspektin ekonomik dhe gjeostrategjik.
Në këtë vizitë, kryedipomati shqiptar shoqërohej edhe nga një delegacion biznesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, kryesisht të sektorit të prodhimit të tekstileve, industrisë së përpunimit të mishit, prodhimit të letrës dhe plastikës, produkteve hidorsanitare, tregtimit të mallrave ushqimore e industriale, si dhe arsimit dhe aftësimit profesional dhe kërkimit shkencor.
India është furnizuesi i katërt më i madh gjatë viteve të fundit për tregun shqiptar. Gjatë vitit 2023 norma e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve arriti 249% më shumë se një vit më parë.
Sipas QKB, në janar 2023, në territorin e Shqipërisë ishin aktive 90 kompani me pronësi indiane. Ndër to, 80 kanë kapital të huaj 100%, ndërsa 10 prej tyre kanë kapital të përbashkët. Kompanitë indiane janë të pranishme në 5 nga 12 rrethet e vendit.
Pjesa më e madhe e këtyre kompanive, përkatësisht 88%, operojnë në territorin e Qarkut të Tiranës, e ndjekur nga Korça (8%), Durrësi (6%), Vlora dhe Elbasani (1%).