E shtunë, 15 Shkurt, 2025
3.8 C
Skopje

Haso dhe Huso dhe meritokracia

Kur partitë do të pushojnë së realizuari premtimet me fjalë dhe të kalojnë në vepra? Kur akuzon para teje dikë për shkelje të ligjit, kapje të institucioneve, kjo do të thotë se ti do të veprosh ndryshe, e jo “ashtu kanë bërë ata, do të bëjmë edhe ne”!!!

 Nga Daut DAUTI

  1. Ka një besim naiv të simpatizantëve partiakë kur i rrëmben emocioni se subjekti që ata përkrahin, do të jetë më i mirë se ai para tyre. Një zonjë me të cilën hapëm muhabet koti para ordinancës, ishte e bindur se gjithçka që ka bërë BDI-ja “është e gabuar”, dhe se këta të VLEN-it janë “më ndryshe”. E moj zonjë, desha ti them, mbi tri dekada shkojnë e vijnë qeveritë, gjërat bëhen njësoj. U përmbajtja t’ia prish disponimin. Sepse, është vështirë t’i bindësh që nuk duan të shohin, se në praktikë ndodh ajo fjala boshnjake “sjaši Haso, da zajaše Huso!”. Kush nuk ka jetuar në kohën e ish-Jugosllavisë, mund të mos dijë ta përkthejë, prandaj ja një ndihmesë: ZBRIT HASO, QË TË HIPË HUSOJA!

Pra, s’ka rëndësi se përse, por thjeshtë, zbrit prej pushteti, që të vij unë!

Po punët pastaj? Ç’bëhet me premtimet se do të bësh më ndryshe nga ajo e gabuara e pararendësve? E, kjo harrohet sa të ulesh në ulëse e butë të pushtetit dhe privilegjeve. Kjo qeveri sipas premtimeve dhe deklaratave të çdoditshme, ka ardhur të korrigjojë gabimet e qeverisë së mëparshme: nuk do të punësojmë njerëz partiakë siç kanë bërë LSDM-ja e BDI-ja, por kriter do të jetë MERITOKRACIA! Uh, sa bukur tingëllon, vetëm edhe arsimtarët e gjuhës t’u japin për temë hartimi!

Nëse ka nevojë për ata lexues që nuk e dinë çka do të thotë meritokraci, kjo me pak fjalë do të thotë njerëz të kualifikuar dhe me përvojë, në vendet adekuate. Nëse doni edhe më ilustrativisht, kjo i bie që kur në një konkurs ku kërkohet mjek kirurg abdominal, të mos pranohet në vend të tij ndonjë dentist vetëm pse është i ndonjë partie në pushtet. Sepse mund të ndodhë nesër që ai dentisti, t’ia nxjerrë zorrët gabimisht pacientit, sepse i shkreti, është mësuar të nxjerrë dhëmbë, e jo të “qepë” lukthin! Në media dhe ne parlament, ka përplot akuza se si nëpër organet e caktuara gjyqësore apo të tjera, vazhdon avazi i vjetër. Vështirë është të dallojë një qytetar votues i thjesht, edhe më pak një simpatizant që u ka besuar partive në gjithçka thonë, se çka është e vërtetë, e çka jo. Ama, kur zihen ngushtë ata që janë në pushtet, përgjigja është klishe: kështu kanë bërë edhe ata para nesh!

E po, tash, pse Huso erdhe, vetëm sa për ta zbritur Hason nga kali, apo që kalin ta bësh at dhe të fitojë vrapin në dasma?

Nuk kam njohuri shumë  se çka është bërë në shumë organe, në këtë shkrim do të ndalem në shembullin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit për Shërbime Audio dhe Audovizuele për të cilin reagoi Shoqata e Gazetarëve. Sepse kjo i vë në sprovë çështjet PARIMORE dhe ato të respektimit të ligjeve. Siç e do rendi, për këtë organ qe shpallur konkurs, në të cilin kërkohej që  kandidatët të jenë profesionistë të dëshmuar, të kenë mbi 8 vjet përvojë pune në gazetari, komunikologji, drejtësi, ekonomi… dhe të mos kenë qenë në organe partiake. Le që komisioni nuk i ka eliminuar ata që kanë qenë në organe partiake(nja dy kandidatë të tjerë vetë u tërhoqën për shkak të kësaj), por në fund dhe i propozon për Këshillin e Agjencisë.  Sipas SHGM-së “është shqetësues fakti se disa nga kandidatët e përzgjedhur të cilëve iu është dhënë mundësia të marrin pjesë në dëgjimin publik nuk i plotësojnë as kushtet formale sipas shpalljes së publikuar. Problematike është edhe historia partiake e disa prej kandidatëve që propozohen për votim në Kuvend. Në të njëjtën kohë, kandidatët që kishin një portofol të spikatur profesional nuk u morën parasysh”.

Kur e citoj këtë që ka shkruar SHGSHM-ja, me kandidatët s’kam asgjë personale (vetëm se jam drejtpërdrejt i dëmtuar, por e kam me partitë!), thjeshtë, ligji ashtu shkruante dhe një pushtet, duhet ta respektojë apo jo? (sa për të rikujtuar, dy herë ka dështuar konkursi për Këshillin e Agjencisë në qeverinë e kaluar, sepse partitë e atëhershme opozitare pengonin partitë në pushtet që ta vënë kontrollin mbi të, pro dhe e vetë donin të zgjedhnin ndonjë të tyrin). Po te ne ligjet janë për t’u shkelur, sidomos ata që janë në pushtet.

Edhe më brengosës për Qeverinë dhe vendin është se SHGM thekson se ‘puna e rregullatorit të medias është nën vëzhgimin e rregullt nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera të besueshme si Reporterët pa Kufij dhe Freedom House. Efikasiteti i punës së tyre, përveçse ndikon në përmirësimin e kushteve në të cilat funksionojnë të gjitha mediat në vend, ka një rëndësi të veçantë në proceset integruese evropiane të vendit”.  Kushedi ku do të na rangojnë pas kësaj këto organizata për kontrollin e medias! Sa i përket ligjit dhe meritokracisë, rezultati: të pazgjedhur mbetën tre anëtarë të tjerë të cilët në pikëpamje profesionale ishin me më shumë përvojë dhe me çmime për fushën e gazetarisë dhe me vepra konkrete dhe nuk kishin pengesa ligjore.  Përse kaq shpesh kjo fjala “meritokraci” që po na e “lakon” kaq shpesh ky koalicion qeveritar? Ndoshta kjo vlen për kuadrot partiake, pavarësisht kualifikimit?

  1. Shpesh kam pasur dilemat e mia lidhur me disa liri që gazetarët i kërkojnë për vete. Si gazetar parimisht kam qëndruar me ta, por në atë det shkrimesh, fake-news-ash kur kushdo për këdo shkruan çka t’i kujtohet, për shpifjet e ofendimet…asnjëherë nuk kam qenë i ngazëllyer. Zhurma e madhe që po bëhet për një tekst të një gazetari të njohur kosovar ndaj akademikut Rexhep Qosja, duke e përbaltur me fjalën më të ndytë të “produktit të metabolizmit”(mua s’ma duron pena ta përmendë edhe citat të huaj!), e ka ndarë publikun kosovar, sepse dikush thotë: mirë ja ka bërë! Me logjikën, sa më zi për dikë, më mirë! Sepse, “ashtu e meriton”!

Mendoj se nuk mund të kesh lirinë që ta fyesh këdoqoftë, e lëre më një akademik, vetëm pse nuk pajtohet me një veprim të tij(përkrahja e shprehur publike për Vetëvendosjen). Ai nuk e kritikon vetëm gjestin e tij, që do të ishte një e drejtë, por gazetari shkon tutje dhe me të njëjtin epitet e quan veprën e Qosjes, që, për ta vlerësuar, duhet të jesh sadopak një studiues letërsie jo i rastit! Dyzet e ca veprat e Qosjes nuk janë të pavlera siç e trajton me urrejtje gazetari.

  1. Ka një dilemë që është legjitime për intelektualin e nivelit të Qosjes? A duhet ai ta shprehë publikisht përkrahjen për ndonjë subjekt politik, apo këtë ta bëjë si çdo votues tjetër, me votën e fshehtë në kutinë e votimit. Akademiku ka zgjedhur këtë ta shprehë publikisht, si një intelektual i angazhuar, si një ndërgjegje e kombit, pasi mendon se kjo është e nevojshme në këtë moment historik. Prej intelektualit pritet një gjë e tillë. Sepse, nuk është krejt njësoj se nga do të ecën vendi. Në anën tjetër, kjo nuk është as në kundërshtim me praktikat e demokracive perëndimore…

Te rasti i Qosjes gjërat edhe nuk janë pa histori dhe dilema pse përkrahje LVV-së e jo ndonjë subjekti tjetër . Nëse bie fjala LDK-në nuk e përfill pasi ajo është e Ibrahim Rugovës, të cilin ai nuk e ka çmuar si veprimtar politik, çështja është e diskutueshme përse e ka zhvlerësuar PDK-në, dhe partitë tjera të dala nga UÇK-ja që ka pasur kontribut direkt në çlirimin e por dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahjen ia jep një subjekti, i cili në disa raste, ka frenuar procesin e shtetndërtimit?! Sigurisht se nuk mendon Qosja se vetëm lufta kundër korrupsionit, kauza kryesore e LVV-së,  ndërton shtetësinë?

  1. Këtu te ne, si ajo fjala, nëse ka mbërri n’kojshi, prite n’shpi! Iu kujtua atje dikujt në Kroaci të organizojë(mbase me të drejtë) bojkot të marketeve për shkak të çmimeve të larta dhe ja, edhe ne dje u solidarizuam. Unë për vete nuk u solidarizova, shkova bleva çka kisha të blej dhe s’e çava kokën. Jo që kam të ardhura kushedi çfarë dhe s’më bëhet vonë për çmimet, por për shkak se ata në Kroaci dhe ne këtu e adresuam gabimisht problemin!

Nëse çmimi i naftës në tregjet botërore rritet, nuk mund të jenë fajtore pompat e benzinës, bie fjala! Nëse çmimi në market varet se sa e blen prodhuesi, nuk është faji i marketeve, sepse çmimin ua dikton prodhuesi. Kur ishte fillimi i luftës në Ukrainë dhe kur u bë një krizë e miellit, vajit që u dyfishuan, problemi ishte te gruri i Ukrainës dhe farat e lulediellit prej andej, e jo te prodhuesit e miellit apo fabrikat e vajit, të cilët kanë gjithnjë e më pak prodhime bujqësore të lira të vendit. Kur je i varur nga prodhuesi, e prodhuesi nga lëndët e para, e lëndët e para kushedi prej nga vijnë, doemos do të reflektohet disi në çmimet e shumë artikujve.  Një litër vaj në fillimin e agresionit në Ukrainë, bë 2,5 euro me tendencë që të rritet edhe më.

Çështja e prodhimeve dhe çmimeve, sidomos të atyre bujqësore, dallon nga sezoni në sezon. Para do ditësh ishte për të ardhur keq sa tonelata qepë të bujqve të Shqipërisë ishin hedhur poshtë. Shumë prodhim, pak kërkesë në treg. Rezultati: ne hamë qepë të lira në Kam apo Kipper, sepse atij bujkut të shkretë i vjen më mirë ta japë kilogramin për 20-25 centë, që neve të na vijë me 25 denarë. Por para dy vitesh hanim qepë 1.5 euro, kushedi prej nga vinin!

Vërtet jemi kundër rritjes së çmimeve, por kush është fajtori?  Po i bojkotojmë, po nuk mund të rrimë pa ngrënë e pa pirë…

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm