Mosfunksionimi seksual prek deri në 61% të të sëmurëve, pacientët përballen me gjendje depresioni dhe shkalla e vetëvrasjeve është dy herë më e lartë në krahasim me popullatën e përgjithshme, gjë që përshkruan më tej barrën emocionale dhe psikologjike të sëmundjes
Hidradenitis suppurativa (HS) është një sëmundje kronike, inflamatore që ndikon negativisht në cilësinë e jetës së pacientëve dhe mjedisin e tyre dhe që prek kryesisht popullatën e re, thonë dermatovenerologët. Kjo sëmundje, e cila prek zonat me gjëndra në sqetull, organet gjenitale, anale dhe zonën e gjoksit te gratë – është shumë më tepër se një problem estetik. HS-ja shkakton ulcera të dhimbshme dhe purulente, fistula, plagë, erë të pakëndshme dhe ulje të ndjeshme të lëvizshmërisë, që për pacientët nënkupton një luftë të përditshme me dhimbje të forta, kufizime fizike dhe izolim social.
Hidradenitis suppurativa është një nga sëmundjet më të rënda dermatologjike kronike, 97% e pacientëve vuajnë nga dhimbje të forta, ndërsa 88% vuajnë nga erë e pakëndshme, transmeton Telegrafi.
Mosfunksionimi seksual prek deri në 61% të të sëmurëve, pacientët përballen me gjendje depresioni dhe shkalla e vetëvrasjeve është dy herë më e lartë në krahasim me popullatën e përgjithshme, gjë që përshkruan më tej barrën emocionale dhe psikologjike të sëmundjes. Një popullatë kryesisht e re e moshës 18 deri në 35 vjeç është e prekur dhe kohëzgjatja mesatare e përkeqësimit të sëmundjes gjatë muajit është 14 ditë, ndërsa kapaciteti i punës është ulur me 49%. HS-ja paraqet një barrë serioze për sistemin e kujdesit shëndetësor. Pacientët shpesh kalojnë një proces të gjatë diagnostikimi, ndonjëherë duke pritur deri në dhjetë vjet, gjë që përkeqëson gjendjen e tyre fizike dhe shëndetin mendor.
Ky proces i zgjatur i diagnostikimit dhe trajtimi joadekuat çon në shtrime në spital, pushim mjekësor afatgjatë dhe kosto të larta trajtimi, duke e bërë HS-në një barrë të madhe socio-ekonomike.
Terapitë e disponueshme, të tilla si antibiotikët që kanë një efekt anti-inflamator, ofrojnë efikasitet afatshkurtër dhe mund të shkaktojnë efekte anësore serioze, duke përfshirë rezistencën antimikrobike. Ndërhyrjet kirurgjikale, edhe pse shpeshherë të nevojshme, janë komplekse dhe simptomat e sëmundjes zakonisht përsëriten. Terapitë inovative do të përmirësonin ndjeshëm kontrollin e sëmundjeve dhe do të reduktonin kostot e trajtimit. Profesioni avokon për futjen e këtyre terapive, në mënyrë që pacientët të kenë një shans për një jetë më të mirë dhe më cilësore, veçanërisht duke pasur parasysh që është një popullsi më e re dhe e punës.