Poetja, studiuesja e letërsisë dhe intelektualja e përmasës mbarëkombëtare, Lindita Ahmeti iku pa na thënë lamtumirë, por duke na lënë vargun e magjishëm poetik
Shkruan: Prof. Vebi Bexheti
Përmbledhja e fundit poetike e Linditës fillon me vargjet frymëzuara nga muza e saj, që te poetja nxisin drojën për babain e dalldisur në mështeknajë mes botës bimore, ku spikat lulja “Iris ilirica”. Në një ambient të bukur poetja e sheh edhe Afërditën, e cila zbret nga karroca e artë para dritares së saj, aty te përroi, dhe ashtu e mërzitur i lëmon sutat e malit. Kjo vuajtje e hyjneshës, poetes ia shton kureshtjen të dijë nëse edhe asaj i mungon diçka. Si mund të vuajë Afërdita, e pyeste veten autorja, kjo hyjneshë që i ka të gjitha mundësitë atje lartë në Olimp?
Poetja, pas përshkrimit të mështeknajës mes malit dhe thellësisë së historisë në kërkim të hyjneshës Afërditë, e që njëherit shërben si hyrje e kësaj përmbledhje poetike, vargun e vet e orienton drejt jetës reale, kur ballafaqohet me zbrazëtirën, errësirën dhe mallkimin, bashkë me zogun krahëthyer, simbolin e humbjes së lirisë në hapësirën qiellore. Dhe sërish mështekna, ky dru i butë e i magjishëm, të cilit ushtarët e huaj ia kishin prerë degët njëqind vjet rresht, simbolikë historike kjo, që e militarizon idenë krijuese poetike edhe kur poetja i këndon muzikës së përrenjve në këtë mjedis të pranvershëm.
Bukuria natyrore, kjo parajsë e vërtetë, në vargun e poetes, për një moment shndërrohet në trishtim, ashtu siç është vet jeta dhe fati i bashkëkombësve të saj, por pa e humbur asnjëherë shpresën, sepse siç shprehet poetja, jemi lulja e përrallës së bukur, me të cilën hapen dyert e hekurta. Me fuqinë e artit poetik, kjo krijuese e sfidon edhe historinë, kur shprehet se lirinë e munguar e sjellin vargjet e poetëve dhe poeteshave, duke e zbukuruar emrin e atdheut. E tërë kjo vlerë artistike e vargut të Lindës, gjithsesi do mungonte pa metaforën poetike, që përveç efekteve artistike, ajo e përdor edhe për ide filizofike, për të depërtuar në brendinë e misterit të jetës.
Elementi i krijimtarisë popullore, që poetja shpeshherë e instalon në vargun e vet, e fisnikëron dhe e pasuron atë, me të mirat dhe të këqijat që sjell vet jeta, e që duhet jetuar patjetër. Aty poetja frymëzohet edhe kur ka nevojë t’ia marrë vajit, ashtu si ajo vasha në dërrasë të vekut, vaj ky, që ua mbyll shtigjet zogjve për tua pamundësuar formimin e korit që do i këndonin jetës, por sërish vargu i poetes, e cila e sfidon të keqen dhe vihet në shërbim të erosit, që ndodhet midis Lule Shpatës “Iris ilyrica”, që e arrin përmes vargut të ndezur të simboleve.
Lashtësinë dhe bashkëkohësinë poetja i bën bashkë përmes nimfës Driadë, të cilës hëna ia praron flokët bashkë me Linditën poete, derisa plepat luanin tangon më të bukur në erë, me ritmet e qetësisë. Edhe banorë tjerë të Olimpit, siç është Harita e magjishme, autorja i sjell në ambiente të zbukuruara mes lulesh “Iris ilyrica”, ku zanat ua ndërtojnë çerdhen zogjve. Si shumë personazhe tjerë të zotave dhe hyjneshave, edhe Nimfa, hyjnesha e ujit dhe e maleve, e mitologjisë greke e romake, e ngjashme me zanat dhe shtojzovallet tona, bëhet pjesë e vargut të Linditës.
Edhe kjo ndërlidhje e elementit të lashtë mitik me ngjarje të rëndësishme të mjedisit shqiptar dhe personaliteteve të njohur, që bien ndër beteja luftërash të drejta duke mbrojtur nderin e familjes dhe të kombit, vërehet në vargun e këngës popullore, përmes vajit të Nimfës, kësaj mbretëreshe të shfronësuar, për vëllain e vdekur, Avdinë, kur nga këto vargje elegjiake mështekna rrëzohet për tokë. Lulja “Iris illyrica ” dhe mështekna, që janë baza e frymëzimit për poezitë e kësaj përmbledhje poetike, gjithsesi paraqesin tërë një shtrirje historike, nga lashtësia kur njihet emri i kësaj luleje, deri te bashkëkohësia e autores dhe e babait me mështeknajën e tij.
Lashtësinë poetja e paraqet përmes metaforës së rrënjëve të kalbura të lisave dhe myshqeve të gurëve të leranës. Në gërshetimet metaforike të kësaj mënyre, që reflektojnë lirizëm të fuqishëm, e që ndërtohen nga figura karakteristike për këtë përmbledhje poetike, vazhdojnë të përmenden elementë mitologjikë siç janë: gurët safirë të kurorës së Zeusit dhe syri i Atenës, që bëhen pjesë e bukurisë arbërore. Shumë nga këta vargje me lloj-lloj figurash poetike, krahas historisë së lavdishme, na sjellin edhe periudha me ditë të zeza, të ngjashme me rënkimet e ujëvarës së përroit kristal, e me tymin, që bredh si reja buzë horizontit, që e ka pushtuar hapësirën e pyllit të shenjtë. Përmes kësaj metafore poetike të së keqes, poetja shpreh mallkimin për armiqtë tradicionalë, që na e shtrembërojnë historinë e na i nënçmojnë heronjtë, këta emra që kumbojnë në ndërgjegje si kambanat në natën e qetë kur ndërtohet e përurohet kisha e re andej kah Reka.
Këta armiq, shprehet poetikisht autorja, nuk e kursyen as edhe gjuhën tonë të bukur, duke shkelur me opinga të përbaltura nëpër sintaksën e saj, madje me tendencë që ta përvetësojnë edhe këngën e Kostandinit, ta presin rrapin e shenjtë, e t’i shterin burimet nën kala. Fenomenin e së keqes, përmes luftës së ashpër kundër vlerave kombëtare, poetja e shpreh edhe përmes ditës kur mprihet shpata, e kur dëgjohet vajtimi i metalit, i gërvishtur nga griha. Kufizimin e fjalës së bukur shqipe, në hapësira jashtë Shqipërisë shtetërore, që në periudha të caktuara ndalohej tërësisht, autorja e shpreh përmes elementit satirik, kur bashkëkombësve të vet u sugjeron që në vend të gjuhës, të kërkojnë erë, sepse atë se ndalon kush, mbase është e lirë dhe lodron degë më degë e lule mëlule.
Ashtu si zakonisht, në vargjet poetike të Lindës sonë, autoren e shohim herë në periudha lashtësie e herë në bashkëkohësi, duke e afruar antikën me Shqipërinë, këtë vend të shenjtë që ka dalë prej zërit yllësor të Orfeut, e që e krahason edhe me këngën e lumit malor, fluturimin e amshueshëm të pëllumbit të bardhë, vallen e zanave me lisat e gjatë. Hyjneshën Afërditë, poetja e sjell edhe në mesin e vajzave shqiptare, që bëhen gati ta qërojnë drithin për dasmën e Rexhës i cili qëndron në këmbë me hijen e Kadmit e nën tingujt e harfës së Apolonit. Edhe kjo dasëm me përfundim tragjik vjen me përmasë tejkohore, mbase shtrihet deri në kohën e Luftës Greko-Trojane. Kësaj radhe, nusja, e bukura e dheut vjen me kalë të drunjtë, ndërsa Rexha bëhet sinonim i bijve trojan, që nuk pati fatin t’ia heq nuses duvakun. Me vargjet që e mbyllin këngën e Rexhës, autorja kthehet sërish në identitet, kur shpreh traditën shqiptare, për mikun dhe respektimin ndaj tij, të zotit të shtëpisë, për t’i siguruar qëndrim të rehatshëm, edhe kur ndodh vdekje brenda shtëpisë mikpritëse. Ky fenomen shprehet poetikisht, kur me rastin e vdekjes së Rexhës, kënga nuk ndalet, kurse vaji që duhej bërë për te, mbetet të ngrihet pasi të shpërndaheshin krushqit.
Edhe në vargjet e poezive në vijim të kësaj përmbledhjeje, poetja vazhdon ta shtrijë vargun e vet mes kohëve, duke përmendur sërish fuqinë hyjnore të nimfave që mundohen t’i shpëtojnë njerëzit e robëruar, e jo të sigurt, që i krahason me anijen e varur për re. Metafora ndjellakeqe e çerepëve, që nga lartë bien në tokë, në këtë rast simbolizojnë mortjen kolektive, derisa nëpër kullat e një nate të kristaltë ulërijnë fjalë të urta, që kanë mbetur midis gurëve të kalldrëmit. Edhe pas kësaj atmosfere të zymtë, me erë vdekjeje, të shprehur përmes krimbave që e brejnë drurin, korbave që rrinë në degët e tij dhe ujqve të uritur, që simbolizojnë fatin tragjik të kombit, sërish vargje optimiste, që sjellin shpresë për ardhmëri të lumtur në kullat e stërgjyshërve, ku kthehen njerëzit dhiareve të malit nga hadi, e marshojnë të krusur drejt atdheut, me shpresë se do e ngrenë kullën e katragjyshit. Ky udhëtim i ri bashkë me porosinë e mbretëreshës Teutë dhe zërit të koncertit të Luleve ilirike do jetë në shërbim të së ardhmes për ta rindërtuar kullën pranë pyllit të shenjtë. Mes poezish me tema nga më të ndryshmet, ku gjithsesi spikat fati i kombit gjatë historisë, nuk mungon edhe një oazë dashurie, e shprehur përmes letrës, drejtuar një miku, por me drojën, nëse ajo atij do i bie në dorë, apo jo. Edhe në këtë pjesë spikasin tone pesimiste të shprehura përmes formës së ëndërrimit dhe ngjyrës së kotësisë, por që më pastaj sikur zbuten, kur poetje gjen ngushëllim te gjuha e kombit, që ia mban shpirtin.
Simbolika e lules “Iris ilyrica” që aq shumë përmendet në vargjet e kësaj përmbledhjeje sikur i jep forcë poetes. Kjo lule qëndron mes gurrës dhe zemrës së poetes, ujitet bashkë me te, duke e mbajtur gjallë dashurinë, që nuk mund të shembet asnjëherë. Vargjet rebele, që shpeshherë nuk i binden krijueses, nuk heqin dorë nga kryengritja dhe kërkesa për ide të reja, që do t’i ndihmonin të bëhen fenerë për ruajtjen e kësaj gjuhe të bukur shqipe. Me gjithë frymën optimiste, që rrezaton lulja e magjishme, të cilën poetja bashkë me malin me mështekna të babait e vendos në qendër të frymëzimit poetik, autorja e mbyll këtë libër në atmosferë të zymtë, që si duket si për koicidencë paralajmëron ardhmëri të kobshme për familjen e saj, realitet ky që shprehet përmes metaforës së mjegullës së zezë, që ka nisur të bjerë para kullës, në mështeknajën e butë të babait.
Përmbledhja e fundit poetike e Lindita Ahmetit, që emërues të përbashkët e ka dashurinë, të ardhmen e lumtur dhe mirëqenien kombëtare, karakterizohet edhe me gjuhën e simboleve të shprehur përmes shumë figurave poetike dhe personazheve lirikë, që veprojnë në një shtrirje kohore nga mitologjia antike, lashtësia ilire, e deri në ditët tona. (koha.mk)