E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Hoti: Qeveria e ardhshme duhet ta kthejë fokusin tek Marrëveshja e Uashingtonit

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duhet ta kthejë fokusin tek Marrëveshja e Uashingtonit (4 shtator 2020), e cila ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë – ish-kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç – në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, të mërkurën e 5 nëntorit, duke u rikthyer në krye të SHBA-ve pas katër vitesh.

“Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020”, shkroi Hoti, duke shtuar se “nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës”.

Qeveria e re, në prizmin e tij, duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve.

“Pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare. Në anën tjetër, hekurudha për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit, dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore”, shpjegoi ish-kryeministri.

Ai vlerëson se katër vite kanë humbur. “Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar”.

Kjo, konsideron Hoti, duhet të ndryshojë.

“Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës”, potencoi deputeti i LDK-së ndër të tjera.

Para më shumë se katër viteve, kur president i SHBA-ve ishte Trump – mandati i parë i tij – Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë kishin arritur një marrëveshje (4 shtator 2020) – Marrëveshja e Uashingtonit – përmes të cilës, ndër të tjera, Kosova kishte fituar njohjen nga Izraeli – njohja e fundit për Prishtinën zyrtare.

Kjo kishte qenë hera e parë që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi që SHBA-të kishin qenë protagonistë kryesorë në këtë proces. E gjithë kjo kishte ndodhur me insistimin e të ish të Dërguarit Special të SHBA-ve për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.

Marrëveshja e nënshkruar ka mbetur në letër, pasi që shumë pak pika të saj janë zbatuar në praktikë, kjo për faktin se Trump kishte humbur zgjedhjet e 2020-së dhe në krye të SHBA-ve kishte ardhur Joe Biden. Me ardhjen e tij si president i SHBA-ve, dialogu kishte kaluar përsëri nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

Por tani që Trump është rikthyer në krye të SHBA-ve, shumë kush është skeptik për rolin që do ta ketë ai në raport me Kosovën, kjo për faktin se kryeministri aktual Albin Kurti, nuk ka gëzuar raporte të mira me administratën e parë të tij, posaçërisht me Grenell-in.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm