-Punë për “Riplin”: Ilir Meta ma qenka involvuar në zgjedhjet në Maqedoni, duke përkrahur VMRO-në! Pra, nuk është më në pyetje as përkrahje e një subjekti shqiptar ndaj një subjekti shqiptar, as të një subjekti shtetëror të Shqipërisë ndaj një subjekti shtetëror të Maqedonisë, po as të dy subjekteve partiake që kanë afërsi programore, sepse Partia e Lirisë së Metës dhe vetë Meta janë me orientim të majtë, kurse VMRO-ja është me orientim të djathtë…
Nga Daut DAUTI
“Shpërthen Ilir Meta!” Kështu Blendi Fevziu e kishte titulluar edicionin e Opinionit ku e kishte mysafir ish-presidentin Ilir Meta(dhe ish në shumë kategori të tjera). Ilir Meta vërtet ka shpërthyer kohëve të fundit, me një furi veprimesh nga më të çuditshmet saqë këtë “shpërthim”, dikush e konsideron dhe “çartje”, “shfrenim”, “shthurje”, “çoroditje”… dhe kushedi si tjetër, që u bë dhe objekt humori edhe në “Portokalli”, ku kuptim këtyre termeve të mëparshme i jep një veprim i çuditshëm i Ilir Metës, duke hipur në një traversë në këmbë, duke ngritur krahët e duke dhënë mesazhet e tij që kanë habitur shumëkë. Edhe për një gjimnast të shkathtë ajo që bëri ai, do të ishte një arritje për admirim.
Ajo që i ndërlidh të gjitha këto, siç kanë vënë në dukje opinionistë të shumtë, është ngushtimi i rrethit të tij nga ana e SPAK-ut, me dyshimet për pasurimin e paligjshëm e keqpërdorime financiare duke qenë në funksionet e deritashme, si nga vetë Meta, si nga bashkëshortja e tij, dhe madje dhe familjarë të tjerë. Bile dhe një ndarje nga një çift i shoubizit, e ndërlidhin me Ilir Metën…Dhe ai, i gjetur si një luani para grahmës së fundit, vërtet shpërthen dhe kur e pyet Blendi për këtë situatë të ndjekjes(hetimit) që po ia përgatit Dumani i SPAK-ut, ai përgjigjet: Unë do ta ndjek Dumanin! (Nga ç’pozitë e bën këtë, vallë?). Kreun e SPAK-ut madje e quan “tarrallak”…
Dhe në intervistën e javës që po lëmë, Blendi ishte i drejtpërdrejtë, vallë, këto veprime(hipja mbi traversë, duke rrezikuar vetveten…) a nuk duan të japin imazhin e një njeriu të pandërgjegjshëm për veprimet e veta, që të kalojë më lehtë nesër para SPAK-ut, Ilir Meta mohon këtë…Por shumë ngjarje brenda një familje dhe kuptimi si diçka normale, duket jo normale. Ai thotë se nuk ka gjë me bashkëshorten Monika Kryemadhi në planin privat, por ka mospajtime politike. Megjithatë, një marrëdhënie e çuditshme po degradon në çiftin më të njohur politik e bashkëshortor, kur njëri i mëshon thumbit, e tjetra patkoit.
Argëtuese, pa dyshim, edhe pse s’është aspak argëtuese që iu varën në qafë edhe diplomatët ish-presidentit.
Por, kjo çështja e çrregullimit, e aktruar ose faktike, do të mbetet të shihet nëse do të përdoret, por për një veprim që ka lidhje me Maqedoninë, i japim të drejtë Blendit. Sepse, vetëm një politikan që ka ndonjë çrregullim mund të kyçet në zgjedhjet në Maqedoni për të mbajtur anën e ndokujt. Debati që po zhvillohet për ndërhyrjen e LVV-së në përkrahjen e njërit krah shqiptar në zgjedhje, s’do të mbetet i vetmuar,sepse të njëjtën e bën edhe Ilir Meta, i cili nuk zgjedh ndonjë palë shqiptare, por hiq më pak po VMRO-DPMNE-së!Kështu, portali plusinfo.mk lajmëron se Meta, si lider i Partisë së Lirisë, në rrjetet sociale paska shprehur përkrahje VMRO-së dhe bindjen e tij për fitore në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë fitore, sipas tij, Maqedonia Veriore do të vazhdojë të hapërojë në rrugën euroatlantike. “Fitorja e pritur në zgjedhjet e ardhshme do të japin dimension të ri zhvillimit ekonomik në Maqedoninë Veriore në të ardhmen, që do të kenë dobi të gjithë qytetarët e saj. Meta nuk paska kursyer fjalë për të lëvduar qeverisjen e kaluar të VMRO-së: “mos të harrojmë se vizioni dhe politikat e saj gjatë qeverisjes e kanë transformuar Maqedoninë Veriore në 10 vendet në botë dhe 5 në Evropë me klimë të favorshme të klimës së biznesit dhe investimeve të huaja”. Poashtu, falë vizionit të VMRO-DPMNE-së, Maqedonia bëri bum në rritjen e bujqësisë dhe blegtorisë, duke filluar me 10 milionë përkrahje, për të arritur në 200 milionë euro. Ai jep edhe këshillë, duke shpresuarse udhëheqësia e re e VMRO-së, ka mësuar nga gabimet e kaluara dhe nga pasojat e nepeotizmit(a thua vetëm nepotizëm, Ilir Presidenti?), që i ka lënë nën hije rezultatet e jashtëzakonshme dhe arritjet shoqërore. Sipas bindjes së Metës (me fitoren e VMRO-së). Maqedonia veriore do të ecë sigurt në rrugën euroatlantike dhe se shqiptarët prapë do të jenë garancë kyç për këtë. (Pikërisht fitorja e VMRO-së garancë kyç?!) Gjithë këtë Meta e ka shoqëruar me një fotografi nga një takim i mëhershëm me Hristijan Mikoskin.
Hajt se i paskan pëlqyer politikat ekonomike të VMRO-së dhe se nga anomalitë e qeverisjes së kaluar të saj, shihka vetëm nepotizëm(po korrupsioni me miliona euro si kanë bërë përshtypje?!), po ku e sheh garancinë se fitorja e kësaj partie do ta çojë Maqedonisë rrugës së integrimeve euroatlantike, kur dihet se pikërisht Gruevski dhe projekti i inxheneringut identitar për gjetjen e rrënjëve antike (implikime me Greqinë), e bëri të pamundur integrimin në NATO, kurse pengimi i ndryshimeve kushtetuese për t’i futur bullgarët, partia e preferuar e Metës, bëhet pengesë edhe për BE. E sa për shqiptarët, kjo gjithsesi nuk varen nga VMRO-ja, apo edhe kjo qenka e lidhur me të sipas Metës?
Unë kam shkruar shumë herë rreth bashkëpunimit midis subjekteve shqiptare, dhe e mbroj tezën se ato duhet të kultivojnë marrëdhënie institucionale, e jo partiake, edhe pse kjo as në të kaluarën, as tash nuk janë gjërat ashtu. Nuk se është i panjohur bashkëpunimi midis subjekteve për shkak të afërsisë programore, apo dhe miqësive personale, por ky lloj bashkëpunimi, kam thënë shumë herë, mund të shkaktojë “pengesa në komunikim” në aspektin institucional, i cili duhet të jetë prioritet. Por, kjo ndërhyrje e Ilir Metës është jashtë çdo logjike. Sepse, nuk është më në pyetje as përkrahje e një subjekti shqiptar ndaj një subjekti shqiptar, as të një subjekti shtetëror(ta zëmë në cilësinë e presidentit, sepse ai nuk është më)me një tjetër subject të tillë( as VMRO-aj momentalisht nuk është pushtet), po as të dy subjekteve partiake që kanë afërsi programore, sepse Partia e Lirisë së Metës dhe vetë Meta janë me orientim të majtë, kurse VMRO-ja është me orientim të djathtë.
Tash çka të thuash për këtë mungesë sensi kur një përfaqësues politik i shtetit amë, përzihet në procesin zgjedhor të shtetit tjetër, pa i njohur mirë rrethanat, kontekstin, e as pa u thelluar më shumë për efektin. Më kujtohet në fillim të 90-tave, në një aktivitetet të mbajtur në Shkup, ishin mysafirë na Shqipëria një shkrimtar i njohur “trendi” dhe një profesor, i cili më vonë u bë i njohur edhe si ministër edhe si historian. Kishte edhe disa nga Kosova…dhe më kujtohet një debat midis tyre në një nga pauzat e aktivitetit, kur ranë fjala për zgjedhjet në Serbi, pjesë e së cilës ende ishte Kosova. Dhe këta intelektualë “babaxhanë”, që kishin nisur vetë të mësojnë nga parimet e demokracisë, u shisnin mend kosovarëve: po pse nuk merrni pjesë në zgjedhjet e Serbisë, hyni në parlament dhe atje ingritni çështjet tuaja!
Kosovarët mbetën të habitur nga ky “leksion” i vëllezërve të tyre, sepse kaherë ata nuk e shihnin veten në Serbi, se Serbia ua kishte suprimuar edhe atë autonomi që e kishin pasur, që tashmë i kishte nxjerrë nga sistemi, e këta i këshillonin të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë e atje të luftonin për të drejtat e tyre! Këta nuk e dinin këtë mekanizëm demokracie, por këta kolegët nga Tirana do t’i mësonin! Si nuk e kuptonin ata se beteja përmes mjeteve demokratike(në parlament) me Serbinë, kishte “vdekur” kaherë!
Për hir të së vërtetës, shqiptarët kanë pasur nevojë këto dekada për përkrahje institucionale nga shteti amë, por nuk mund të themi se kjo ka qenë përherë në nivelin që kanë pritur shqiptarët, për të mos thënë, se jo rrallë, kanë qenë krejtësisht të gabuara!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)