Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Agim Berisha, tha se në takim infermieret janë njoftuar se si drejtori kanë marrë pëlqim nga Ministria e Shëndetësisë që këtyre infermiereve t`ju vazhdohet kontrata deri në muajin dhejtor. Për vendimet e punës, infermierët thonë se do të presin që të zgjidhet Ministri i ri i Shëndetësisë dhe pastaj të kërkohet takim edhe atë
Urim HASIPI
Tetovë, 9 qershor – Njëra nga kërkesat e infermiereve në Spitalin Klinik të Tetovës është pranuar nga ana e drejtorisë. Me këtë, infermiereve u është vazhduar kontrata deri në muajin dhjetor dhe brenda javës pritet që të marrin pagesat që nuk u janë bërë deri më tani. Kurse, kërkesa tjetër për vendime të përhershme pune, do të duhet të vendoset nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky është epilogu i takimit në mes të infermiereve që nuk e kanë të zgjidhur statusin e tyre dhe drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, Agim Berisha. “Neve drejtori na informoi që do të kemi vazhdim të kontratave deri në muajin dhjetor. Kjo është një plus për neve. Megjithatë, për kërkesën e parë dhe më të rëndësishmen ai na tha se duhet të drejtohemi tek Ministria e Shëndetësisë, që kjo Ministri të dërgojë kërkesë deri në Ministrinë e Financave që të aprovohen vendet e punës. Për momentin, protesta jonë do të jetë e qetë derisa Ministria e Shëndetësisë të zgjidh problemet e veta dhe pastaj të vendos se çka më tutje me neve që jemi me kontrata në vepër. Na informuan se brenda kësaj jave do të bëhet pagesa e atyre rrogave që nuk na janë paguar”, tha Fjolla Alija, infermiere.
Infermierët thonë se do të presin që të zgjidhet ministri i ri i shëndetësisë dhe pastaj të kërkohet takim edhe atë. “Ne presim tash, drejtori na informoi për pagesat, do ta paguhet. Problemi është vetëm për vendimet, nuk kemi informatë të saktë. Drejtori na tha se ky problem me vendimet duhet të zgidhet në Ministri se ajo i jep vendimet. Tash, të drejtat tona do t`i kërkojmë në Ministrinë e Shëndetësisë”, deklaroi Flutura Islami, infermiere.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Agim Berisha, tha se në takim infermieret janë njoftuar se si drejtori kanë marrë pëlqim nga Ministria e Shëndetësisë që këtyre infermiereve t`ju vazhdohet kontrata deri në muajin dhejtor. Njëkohësisht, ai tha se do të fillohet pagesa e rrogave për ato muaj që këta infermiere nuk i kanë marrë. Ndërkaq, shpreson se edhe problemi i vendimeve do të zgjidhet. “Kjo nuk mund të vazhdojë edhe më tej. Edhe intenca e qeverisë së re ka qenë gjithmonë që të hiqen këto kontrata, që të sistemohen njerëzit si duhet me vendime pune. Shpresoj që të kemi mirëkuptim me ministrin e ardhshëm që t`a rregullojmë këtë status” deklaroi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Agim Berisha.
Ndryshe, në Spitalin Klinik të Tetovës, gati se një dekadë janë të angazhuar personel mjekësor i profileve të ndryshme por me kontratë në vepër. Ende nuk dihet se a do të rregullohet statusi i tyre pas ardhjes së ministrit të ri të shëndetësisë. (koha.mk)