E mërkurë, 19 Mars, 2025
11.8 C
Skopje

Insulinë sa për ta mbajtur shpirtin gjallë!

“Është e vërtetë se gjatë furnizimit me insulinë, me pacientët është krijuar kaos për shkak të vonesës së dërgesës. Kjo ndodh çdo herë në fillim të muajit, pra përgjigjet e vërteta të pyetjes për këtë gjendje do të duhet t’i merrni nga Ministria e Shëndetësisë. Por, çdo herë kur ka ripërtrirje të tenderit në dy vite, është situatë e njëjtë në të gjitha qendrat në Maqedoni, në Kumanovë, Gostivar, Veles, pra në gjitha barnatoret e insulinës…”, thotë Dushica Stefanovska, udhëheqëse e Repartit të Endokrinologjisë në Tetovë

Urim HASIPI

Tetovë, 6 mars – Disa qytetarë të Tetovës janë ankuar se ka mungesë të insulinës. Ata thonë se në barnatoren për insulinë, mund të marrin insulinë vetën ditët e para të muajit, pasi më pas – ka mungesë. “Mungesa e insulinës shkakton stres, nervozizëm, shkatërron shëndetin edhe nuk e di pse nuk e rregullojnë këtë çështje. Kam qenë tri ditë radhazi prej orës 7, ndër të parit, në orën 10 e mora insulinën dhe atë jo me dozë të plotë, por të përgjysmuar. Nuk e di pse nuk është e rregulluar kjo çështje kur e ka në sistem çdo pacientë dozën e vet dhe duhet t’ia sigurojë atij”, ankohet Veli Pajaziti, pacient. Të njëjtat shqetësime i ka edhe një person tjetër që merr terapinë e insulinës. Ai thotë se problemet janë te të ashtuquajturat lenta, jepen më pak se sa duhet.

“Tre ditë rresht të vish dhe mos mund t’a marrësh, është më shumë se problem. Çdo herë kemi problem me insulinën. Lenta japin një paketë për dy muaj. Ato nuk dalin, sepse tre herë marrë insulinë ndërsa duhet në secilën herë ta mat sheqerin që ta di sa pika të marrë. Me lentat kemi pasur problem përherë, me insulinën këto dy vjet – herë ka e herë s’ka. Dy tre ditët e para kush merr mirë, kush s’merr s’ka”, thotë Shafi Shafiji, pacient.

Në ndërkohë, vizituam Repartin e Endokrinologjisë, prej nga njoftuan se situata e kësaj natyre paraqitet çdo herë kur duhet të hapet tenderi për furnizim. Nga ky repart thonë se pas muajit prill, kur do të përfundojnë procedurat e tenderimit – edhe situata do të stabilizohet. Por, pranojnë se këtyre ditëve ka pasur më shumë rrëmujë. Për gjendjen e krijuar në këtë repart thonë se ka pasur mungesë të disa llojeve të insulinës.

“Është e vërtetë se gjatë furnizimit me insulinë, me pacientët është krijuar kaos për shkak të vonesës së dërgesës. Kjo ndodh çdo herë në fillim të muajit, pra përgjigjet e vërteta të pyetjes për këtë gjendje do të duhet t’i merrni nga Ministria e Shëndetësisë. Por, çdo herë kur ka ripërtrirje të tenderit në dy vite, është situatë e njëjtë në të gjitha qendrat në Maqedoni, në Kumanovë, Gostivar, Veles, pra në gjitha barnatoret e insulinës. Ne mendojmë se arsyeja se pse vjen deri tek kjo situatë janë se nuk planifikohen në mënyrë adekuate sasitë e nevojshme të insulinës. Me udhëzim të Komisionit Shtetëror për Diabet, kjo gjendje që të zgjidhet – jemi të detyruar të bëjmë restrikcione, sepse sasitë që kemi marrë janë në gjysmë nga ajo që kemi nevojë, prandaj edhe bëhen restrikcione”, thotë Dushica Stefanovska, udhëheqëse e Repartit të Endokrinologjisë.

Në ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se dërgesa për muajin mars është e përfunduar në të gjitha barnatoret për insulinë për nevojat e pacientëve. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm