Kryeministri grek Micotakis paralajmëroi në mes të qershorit se do të ngrinte çështjen e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës në Samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik dhe se kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të ishte në një pozitë shumë të pakëndshme kur ata të takohen atje
Xhenur ISENI
Shkup, 3 korrik – Hristijan Mickoski asnjëherë nuk ka deklaruar se qeveria synon të rinegociojë Marrëveshjen e Prespës, por përdorimi verbal i emrit Maqedoni në Greqinë fqinje interpretohet si përpjekje për ta bërë këtë. “Sa i përket Prespës, ne tashmë e kemi shprehur qëndrimin tonë shumë vite më parë, se kjo marrëveshje është realitet dhe është pjesë e rendit kushtetues dhe juridik të Maqedonisë si shtet dhe askush nuk duhet të ketë asnjë dilemë këtu”, tha Mickoski duke iu përgjigjur një pyetjeje për deklaratën e ambasadores amerikane Angela Aggeler, se nuk ka negociata të reja për Prespën dhe as me Bullgarinë për ecurinë drejt BE-së.
Sipas një analize të gazetës greke “Kathimerini”, “logjika e rinegociimit të Marrëveshjes së Prespës që mbizotëron në Shkup nuk lë shumë hapësirë për optimizëm në Athinë”, sepse udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së është e vendosur të “tërheqë litarin” në marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë. “Greqia nuk do të përfshihet në debate publike të pakuptimta dhe, siç nënkuptohet tashmë drejtpërdrejt nga z. Micotakis, thjesht do të bllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, thuhet në analizë.
Vëmendje i kushtohet edhe vizitës zyrtare në Athinë nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të hapë forumin “Economist” dhe do të ketë takime me kryeministrin grek Kyriakos Micotakis dhe presidenten greke Katerina Sakellaropoulou. Pritet që njëra nga temat të jenë marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. “Koordinimi mes Athinës dhe Sofjes për këtë çështje duhet të merret si i mirëqenë, por ai nuk buron aq nga dallimet dypalëshe të dy vendeve me Maqedoninë e Veriut, sa nga shqetësimi për kthimin e vendit në një vrimë të zezë gjeopolitike. Për të njëjtën arsye, Athina i mban hapur kanalet me elementin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, që është faktor stabilizues, por edhe me Kosovën, sepse kryeministri Albin Kurti ka ndikim tek partneri i vogël qeveritar shqiptar i VMRO-DPMNE-së”, thuhet në tekst.
ERGA OMNES
RMV u gjend edhe në fokusin e përgjigjes së ish-ministres së Jashtme greke, Dora Bakojani, ndaj kritikave të ish-kryeministrit Samaras për politikat e qeverisë aktuale greke. Duke iu referuar çështjeve kombëtare, Samaras kritikoi se “vendi vuan fyerje, poshtërime njëri pas tjetrit nga shkupianët, shqiptarët dhe turqit”.
Ai i bëri thirrje kryeministrit që menjëherë të vendosë për një ndryshim në politikën e jashtme – një veto për Shqipërinë, të përgatitet përmes krijimit të një grupi të fortë ligjor dhe politik ekspertësh përjashtimin nga marrëveshja e rrezikshme e Prespës, për të aplikuar, si Bullgaria, një veton në çdo hap të Shkupit, papërgjegjshmëria e të cilit duhet të dënohet dhe miqësia me Turqinë të rishikohet tërësisht. “Ai na tha se rruga për në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kalon përmes Greqisë dhe ne e themi këtë. Unë e di që zoti Samaras ishte kryeministër dhe Evangelos Venizelos ishte ministër i Jashtëm dhe ai i tha OKB-së në emër të qeverisë Samaras se Greqia është për një emër kompleks me një term gjeografik erga omnes”, kujton Bakojani. Në të njëjtën kohë ajo shprehu habinë për qëndrimin ndaj Marrëveshjes së Prespës. “Si do të ndryshojë? Më kujton disa njerëz që thonë se Traktati i Lozanës mund të ndryshohet. Nëse Shkupi është në pozitë të vështirë, kjo është sepse kundër tyre kanë bashkësinë ndërkombëtare”, tha ish ministrja e jashtme greke.
Kryeministri grek Micotakis paralajmëroi në mes të qershorit se do të ngrinte çështjen e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës në Samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik dhe se kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të ishte në një pozitë shumë të pakëndshme kur ata të takohen atje.
“Unë do ta drejtoj atë dhe mendoj se do të kem shumë aleatë në këtë përpjekje. Shkupi duhet të kuptojë se nuk mund të luajë me Athinën për një çështje të tillë, sepse nëse vendi do të përpiqej për një emër të dyfishtë, çështja do të ishte mbyllur shumë vite më parë. Shkupi ka hyrë në NATO pikërisht përmes Marrëveshjes, e cila ka problemet e veta, por ka dhënë një emër për përdorim të përgjithshëm. Nëse kjo kontestohet, Maqedonia e Veriut do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet e saj bilateralee me Greqinë, por edhe në marrëdhëniet e saj me NATO-n dhe BE-në, ku ka ambicie të bëhet anëtare në një moment”, tha Micotakis. “Interesi im është të ndërtojmë ura dhe jo t’i rrënojmë dhe të bisedojmë në bazë të argumenteve, të bazuara në fakte”, tha atëherë Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. “Jam gati të diskutoj me argumente dhe fakte dhe këtë e kam bërë gjithë jetën, jo vetëm në samitin e NATO-s. Kudo që është, në Athinë, në Shkup dhe në Bruksel”, theksoi Mickoski.
BELERI SI TEST
Ndryshe nga parashikimet greke për ngrohjen e marrëdhënieve Shkup-Athinë, parashikimet për marrëdhëniet Athinë-Tiranë, të cilat u ashpërsuan vitin e kaluar për shkak të “rastit Beleri”, janë më të buta. Fredi Belleri, i dënuari për blerje votash në bashkinë shqiptare të Himarës, i cili është anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, është zgjedhur ndërkohë deputet i Parlamentit Europian nga radhët e Demokracisë së Re. Autoritetet greke e vlerësuan gjyqin ndaj Bellerit si të motivuar politikisht, kërkuan lirimin e tij dhe pas zgjedhjes si deputet në Parlamentin Evropian – thanë se ai duhet të lejohet të kryejë detyrën në të cilën është zgjedhur. Sipas Athinës, procesi kundër Bellerit mund të ketë një ndikim negativ në integrimin evropian të Shqipërisë.
Sipas “Kathimerinit”, testi i radhës për marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës do të jetë seanca plenare e Parlamentit Europian më 16 korrik. Vlerësohet se Belleri do të marrë një leje të posaçme nga autoritetet shqiptare për të shkuar në Strasburg, për të marrë postin e një anëtari të Parlamentit Evropian dhe për të votuar për zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Evropian. “Megjithatë, vlerësohet se në një mënyrë apo tjetër, marrëdhëniet greko-shqiptare mund të jenë në rrugën e normalizimit në një moment në muajt në vijim”, vlerëson analiza. (koha.mk)