E diel, 9 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

“Italian Reverie Duo” – me kitaristin Luciano Pompilio dhe sopranon Giusy Pompilio

Mbrëmjen e së dielës, më 15.09.2024, në sallën e koncerteve të shkollës shtetërore të muzikës “Todor Skalovski –Tetovë”, u mbajt koncerti i katërt me radhë i edicionit të shtatë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup.

Duke e zgjeruar hartën e tij gjeografike të mbajtjes së koncerteve, kësaj radhe festivali “Skupi Kamerfest”, mundësoi që publiku tetovarë të dëgjoj nga afër kitaristin Luciano Pompilio dhe sopranon Giusy Pompilio, që të dy nga Italia.

Karriera e shquar Luciano Pomilio shtrihet mbi tri dekada. Me një eksperiencë të rëndësishme edhe si solist por edhe si pjesë e formacioneve të ndryshme, ai ka performuar nëpër shumë festivale dhe institucione të mëdha muzikore në të gjithë Evropën, Amerikën dhe Azinë. Ai ka bashkëpunuar me kuartetin harkor “Prima Vista Quartet” nga Varshava dhe “Rimsky Korsakov Quartet” nga Shën Petersburgu. Ndër të tjerat ai është edhe drejtor artistik i Festivalit Ndërkombëtar të kitarës “Città di Manfredonia”.

Giusy Pomilio (1997) është një soprano e re, në rrugëtim e sipër të specializimit dhe studimit. Që në moshë të vogël filloi të studionte violinë, si pjesë e korit të shkollës ajo zbuloi pasionin për këndim – të cilin edhe vendosi ta ndiqte.

Rrugëtimi artistik i kësaj duo-je është i ri, por në rrënjë është shumë më i thellë, bëhet fjalë për lidhjen familjare të tyre (Giusy Pomilio është vajza e Luciano Pompilio), lidhje që u reflektua edhe në nivelin emocional të interpretimit të tyre.

Kjo duo u paraqitë në koncertin e titulluar “Italian Reverie Duo” me një program shumë të veçantë dhe aspak të zakonshëm për skenën koncertuese te ne. Një përzgjedhje brilante me pjesë nga literatura muzikore të kushtuara repertorit për kitarë dhe zë. Të përfshira ishin: tre pjesë “Par che di Giubilo”, “Alle mie tante Lagrime” dhe “Già presso al termine” nga 6 Cavatine op.39 nga Mauro Giuliani. Pjesë e përzgjedhjes së tyre ishin edhe 6 pjesë nga Brazilian Reflections nga kompozitori dhe kitaristi brazilian Laurindo Almeida. Programi përfshinte edhe vepren  Sueño en la Floresta  nga Augustìn Barrios Mangoré, si dhe 6 pjesë nga Canciones Españolas Antiguas nga poeti i famshëm F. Garcìa Lorca. Për përmbylljen e koncertit ata kishin përzgjedhur dy këngë napolitane, ‘A Vucchella nga F. P. Tosti dhe  Nun è Peccate nga U. Calise.

Nën energjinë dhe atmosferën e ngrohtë kamertale që kjo duo krijoi, publiku i pranishëm e pranoi të njëjtën me një entuziazëm dhe impresion të theksuar, që për të cilin duo-ja italiane u rikthye në skenë dhe interpretoi edhe dy pjesë shtesë: “Tace il labbro” të Franz Lehár (orgjinali në gjermanisht “Lippen schweigen” nga opereta Die lustige Witwe), si dhe arien e njohur “O mio babbino caro” nga opera Gianni Schicchi të Giacomo Puccini.

Interpretimi i tyre mund të përshkruhet si i pajisur me finesë dhe elegancë, ku theksoheshin ngrohtësia dhe sensualiteti i vokalit të sopranos – ngjyrës dhe teknikës të së cilës i përshtateshin veprat e përzgjedhura, ajo me korrektësi dhe vetëdijesim solli të gjitha elementet e tyre, si në aspektin e frazimit por edhe të lëvizjes ritmike që kërkohej. Me shumë butësi dhe finesë të admirueshme në hijezim ishte në bashkinterpretim me të, edhe kitaristi – ku përsosja delikate e stilit dhe teknikës të interpretimit dhe artikulimi i përsosur e theksonte individualizmin e tij, duke paraqitur të gjitha mundësitë kreative të instrumentit. Duke shprehur pikëpamjet e veta estetike, vizionin e vet, duoja në ekzekutimin momental paraqiti një skenar të tillë pasionant, nëpërmjet të cilit dha një interpretim të frymëzuar stilistikisht.

Me këtë koncert, festivalit ndërkombëtarë i muzikës kamertale “Skupi Kamerfest” dëshmoi edhe njëherë që përzgjedhjet e tij janë të mirëmenduara për të ndihmuar në zhvillimin dhe pasurimin e jetës kulturore jo vetëm në Shkup – si kryeqendra e vendit, por edhe në qytete tjera. Duke zgjeruar kështu interesimin e publikut më të gjerë dhe duke kontribuar për skenën koncertuese në vend dhe edukimin kulturor të grupmoshave më të reja.

Nora Bajrami, muzikologe

Shoqata “Muza” – Shkup

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm