E shtunë, 24 Maj, 2025
14.8 C
Skopje

Izraeli kërkon ndihmë nga bota për t’i luftuar zjarret, e thërret edhe Maqedoninë e Veriut

Përderisa zjarret u përhapën në kodrat e Jerusalemit të mërkurën, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, nisi një fushatë të gjerë diplomatike, duke kontaktuar më shumë se dhjetë shtete për t’u kërkuar asistencë për fikjen e flakëve në ato që zyrtarët po i përshkruajnë si ndër zjarret më të mëdha në historinë e vendit.

Në një deklaratë të zyrës së kryediplomatit izraelit thuhet se ministri ka biseduar me homologët nga Britania e MadheFranca, Republika Çeke, Suedia, Argjentina, Spanja, Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani, por raportohet se ai ka kontaktuar edhe vende të tjera, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Zyra e Kryeministrit, Ministria e Sigurisë Kombëtare dhe Ministria e Jashtme njoftuan më herët gjatë ditës së mërkurë se Izraeli kishte kërkuar zyrtarisht ndihmë edhe nga Greqia, Qiproja, Kroacia, Italia dhe Bullgaria, pasi burimet lokale u ballafaquan me vështirësi gjatë luftës me zjarret që po përhapeshin.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare konfirmoi se tre aeroplanë të tipit “Superscooper” nga Italia dhe Kroacia ishin rrugës për të asistuar në operacionet ajrore të fikjes së zjarreve.

Ministri i Jashtëm i Rumanisë e njoftoi homologun izraelit se Bukureshti do të dërgojë dy aeroplanë të enjten – një aeroplan zjarrfikës dhe një tjetër për mbështetje logjistike, njoftoi zyra e ministrit Sa’ar në një deklaratë të mëvonshme. Më vonë në mbrëmje, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, i tha homologut izraelit se Madridi do të dërgojë dy aeroplanë zjarrfikës, ndërsa Franca tha se do të dërgonte një aeroplan.

Edhe shtete të tjera shprehën “gatishmëri për të asistuar”, përfshirë Ukrainën dhe Ekuadorin, thuhet në deklaratë, në të cilën shtohet se vende të tjera kishin ofruar helikopterë për t’i dalë në mbështetje Izraelit.

Ekipet ndërkombëtare të zjarrfikësve pritej ta fillonin punën të enjten për shkak të pamundësisë së operimit të aeroplanëve zjarrfikës në mënyrë efikase natën. (Nacionale.com)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm