E diel, 9 Shkurt, 2025
-6.2 C
Skopje

Janevska: Pres që të gjitha shkollat të kenë ngrohje

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska pret që të gjitha shkollat të kenë ngrohje. Siç deklaroi sot, komunave u janë paguar bllok dotacione, kështu që tani kryetarët e komunave, por edhe shkollat dhe drejtorët e kanë radhën që të organizohen, që të mos ketë problem lidhur me sezonin e ngrohjes.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me reagimin e djeshëm të kryetarit të Karposhit, Stevço Jakimovski i cili i bëri thirrje Qeverisë që ta paguajë borxhin e mbetur për ngrohje të shkollave fillore në këtë komunë, Janevska shfaqi bindje se “ai është shumë i aftë dhe do të gjejë mënyrë që t’i ngrohë shkollat”.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) jep bllok dotacione për komunat. Ne u kemi paguar bllok dotacionet komunave dhe nuk kemi çfarë të japim më shumë. Varet nga kryetarët e komunave, shkollat ​​dhe drejtorët se si do të organizohen për realizimin e sezonit të ngrohjes, kështu që kjo nuk është pyetje që duhet t’i bëhet MASH-it”, theksoi Janevska pas konferencës për media për rikonstruimin e konvikteve shtetërore të studentëve. 

Sipas saj, nëse Jakimovski ka kërkesa shtesë, “duhet të drejtohet aty ku duhet, ndërsa jo te MASH-i”.

“Pres që të gjitha shkollat të kenë ngrohje, sepse është e pamundur që të mësohet pa ngrohje. Besoj që kryetari i cili është shumë i aftë, do të gjejë mënyrën që t’i ngrohë shkollat”, është e vendosur ministrja. 

Jakimovski dje i bëri thirrje Qeverisë që t’i mbulojë shpenzimet për ngrohje të shkollave fillore komunale në vlerë prej 8,3 milionë denarë, sepse vetëqeverisja lokale, tha, nuk është e detyruar që ta bëjë këtë. Jakimovski theksoi se vitin e kaluar që fëmijët të mos mbesin pa ngrohje, Komuna ka ndarë gjashtë milionë denarë, sepse, gjithashtu, Qeveria nuk ka dashur që t’i paguajë faturat.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm