E mërkurë, 18 Qershor, 2025
23.8 C
Skopje

Java e Krenarisë nis sot në Prishtinë nën moton “Asnjë Hap Mbrapa”

Sot fillon edicioni i nëntë i Javës së Krenarisë në Kosovë, nën moton “Asnjë Hap Mbrapa”, një thirrje e fuqishme për qëndresë, barazi dhe drejtësi për komunitetin LGBTQI+.

Përmes kësaj jave, organizatorët ngrenë zërin kundër rritjes së urrejtjes dhe diskriminimit, duke theksuar se kjo është një periudhë vendimtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe arritjet e deritanishme.

“Asnjë Hap Mbrapa përfaqëson angazhimin tonë për të qëndruar të fortë kundër lëvizjeve lokale e globale që po përpiqen të minojnë të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe dinjitetin themelor të të gjithë individëve pa dallim,” thuhet në njoftim.

Java e Krenarisë 2025 vjen në një kontekst ku, si në rajon ashtu edhe në botë, të drejtat e komunitetit LGBTQI+ po përballen me sfida të reja. Organizatorët theksojnë se nuk do të tërhiqen përballë këtyre kërcënimeve.

“Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të fshihemi. Ne nuk do të frikësohemi dhe nuk do të shkojmë askund,” thuhet tutje në deklaratë.

Motoja e këtij viti, “Asnjë Hap Mbrapa”, nuk është vetëm simbolikë, por një pozicionim i qartë politik dhe social kundër çdo përpjekjeje për të zbehur ekzistencën dhe të drejtat e komunitetit LGBTQI+.

“Lëvizja jonë është e rrënjosur në qëndrueshmëri, në besimin se lufta për barazi dhe drejtësi nuk mund të kthehet pas.”

Gjatë periudhës 9 – 14 qershor, do të organizohen aktivitete të ndryshme në Prishtinë dhe qytete të tjera përfshirë panele, ekspozita, diskutime publike dhe Marshin e Krenarisë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm