Shkup, 19 korrik – Eliminimi nga Kupat e Evropës ka sjellë zhgënjim në taborin kuqezi. Shkëndija u mund në Shkup 2:1 nga Noah e Armenisë, duke u eliminuar që në xhiron e parë të Conference League. Noah rezultoi e pakalueshme për kuqezinjtë që u mundën 2:0 edhe në ndeshjen e parë në Abovyan të Armenisë. Krejtësisht e natyrshme, trajneri Jeton Beqiri në paraqitjen pas duelit me Noah-n, nuk ka fshehur dëshpërimin nga epilogu i dy takimeve.
Humbje 1:2 në shtëpi – “Unë mendoj se nuk ishim në nivelin që duhej të ishim. Në momente të veçanta edhe kur patëm mundësi që të shënojmë dhe ta kthejmë ndeshjen që të shpresojmë për më shumë, ne humbëm disa raste të pastra dhe me ashtu gabime sa i përket situatës pranimit të golave dhe mos realizimin e rasteve para portës kundërshtare në ndeshje evropiane do të thotë vjen edhe dënimi”.
Nxirret mësim nga eliminimi – “Është një eksperiencë sa i përket ndeshjeve evropiane, pasi janë të nivelit të lartë. Çdo gabim dënohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Ne do të flasim me futbollistët, do të analizojmë dhe është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet”.
3 nga 4 golat e pranuar nga harkimet – “Mendoj nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë pranimi i golave nga dy qendrat e mbrojtjes, pasi që ishin goditje standarte ku i gjithë ekipi merr pjesë në atë fazë të mbrojtjes. Duhet të jemi më syçelë në situata të tilla, për shkak se një goditje standarte, një vendosje jo e mirë, dënon dhe pastaj gjatë gjithë kohës je duke luajtur nën presion psikologjik”.
Vite më parë Shkëndija rival si ky i kalonte me lehtësi – “Normalisht në qoftë se bëjmë krahasimin e asaj skuadre dhe kësaj të tanishme nuk është se kemi forcën e njëjtë. Por, eliminimi që në xhiron e parë është zhgënjyes për Shkëndijën, pasi pritshmëritë janë më të mëdha. Pavarësisht se eliminohemi nga një skuadër e cila është kualitative dhe investon shumë në radhët e veta, ne duhet të nxjerrim mësime që Shkëndija në përfaqësimet e ardhshme të jetë skuadra e cila nuk do të hasë pengesa që në raundin e parë”.