Miskoski e demantoi Taravarin edhe paralajmërimin e Taravarit se, deri në fund të mandatit – gjuha shqipe do të bëhet e barabartë me maqedonishten. “Nuk ka pasur as edhe një lloj bisedimesh në këtë pikë”, tha shkurt Mickoski
Ersan PAJAZITI
Shkup, 28 janar – Mospërputhjet e deklaratave dhe qëndrimeve mes funksionarëve të Qeverisë aktuale vazhdojnë të jenë prezente. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njëri nga liderët e partive përbërëse të VLEN-it, në një emision në TV21, duke folur për ndryshimet kushtetuese, u shpreh i bindur se kjo Qeveri do ti miratojë të njëjtat. Taravari tha se ashtu siç kryeministri Mickoski e pranoi Marrëveshjen e Prespës dhe Korridorin 8, ashtu do t’i pranojë dhe ndryshimet kushtetuese. “Ishte kundër Korridorit 8 apo, sot në Korridorin 8 punohet më fuqishëm se çdo herë tjetër. Për Marrëveshjen e Prespës gjithashtu kishte edhe aty kundërshtim a po? Ai sot e ka pranuar Marrëveshjen e Prespës. Puna e tretë që duhet Mickoski ta bëjë janë ndryshime kushtetuese dhe unë shpresoj që do ta bëjë. Mua më gëzon fakti që ai është i bindur 100% se ne patjetër duhet të shkojmë rrugës drejt BE-së”, tha Taravari, ndërsa shtoi se kryeministri të vetmen gjë që e kërkon është garancia se nuk do ketë kërkesa tjera pas procesit të ndryshimeve kushtetuese.
I pyetur në lidhje me këtë qëndrim të ministrit Taravari, kryeministri Mickoski tha se nuk tërhiqet asnjëherë nga ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar.
“Ne mund të flasim për ndryshime kushtetuese, por mund të flasim edhe për çështje tjera, të cilat ne i kërkojmë, e të cilat janë pjesë e programit të VMRO-DPMNE-së dhe për të cilat kanë votuar gjysma e popullatës së vendit dhe unë nuk kam për qëllim as një pikë të tërhiqem nga ajo që kam thënë, e kam thënë tani dhe do të vazhdojë ta them në të ardhmen. Kërkojë zgjidhje adekuate, kemi zgjidhje adekuate në tavolinë e ato janë ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar, urdhëroni të bisedojmë”, theksoi Mickoski, ndërsa i çoi porosi VLEN-it se, kur duan të bisedohet ër ndryshimet kushtetuese, duhet biseduar edhe për Programin e VMRO-së.
Në ndërkohë, kryeministri Miskoski demantoi Taravarin sa i përket asaj paralajmërimit se deri në fund të mandatit, gjuha shqipe do të bëhet e barabartë me maqedonishten. “Nuk ka pasur as edhe një lloj bisedimesh në këtë pikë”, tha shkurt Mickoski. Përndryshe, kryeministri ka paralajmëruar se së shpejti pritet që të takohet me homologun e tij bullgar Rosen Zhelazkov për të diskutuar rreth çështjeve bilaterale të cilat mbeten të hapura mes dyja vende dhe të cilat po pengojnë përparimin e vendit në proceset euro-integruese. Megjithatë, Mickoski vazhdon të mbetet decid në qëndrimet e tij se Qeveria mbetet në pozicionet e saj që anëtarësimi duhet të arrihet bazuar në arritje, e jo përmes kontesteve bilaterale, ndërsa ai është i gatshëm të bisedojë për tejkalimin e problemit me autoritetet bullgare.
Në ndërkohë, dje, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe ka inkurajuar kryeministrin Mickoski të takohet me Qeverinë e re bullgare në krye me Rosen Zhelazkovin. Filipçe tha se është legjitime që Qeveria të kërkojë garanci plotësuese, pasi koha po kalon, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi me hapa të mëdhenj ecin në rrugën e integrimit evropian. Vlerësoi se edhe pse kjo Qeveri, e sidomos VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me fushatën negative, duke sulmuar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe konkluzat e propozimit francez, ky takim duhet të ndodhë sa më parë.