Përzgjedhës i ri i Gjermanisë do të jetë Julian Nagelsmann, i cili është zyrtarizuar të premten. Ai ka nënshkruar kontratë deri në korrik të vitit 2024.
36-vjeçari erdhi në këtë post si zëvendësues i Hansi Flickut, që u shkarkua pas rezultateve të dobëta. Vendimtar në shkarkimin e tij ishte disfata 4:1 nga Japonia në miqësoren e zhvilluar më herët gjatë këtij muaji.
Nagelsmann tash e disa muaj ka qenë i papunë pasi u shkarkua nga Bayern Munichu në muajin mars, në më pak se dy vjet në krye të bavarezëve. Gjermania do të jetë nikoqire e Evropianit të vitit të ardhshëm, që nis më 14 qershor dhe mbaron më 14 korrik.
“E kemi Kampionatin Evropian në shtetin tonë. Kjo është diçka e veçantë – diçka që ndodh shumë rrallë”, është shprehur Nagelsmann pas emërimit si selektor i Gjermanisë.
Ndeshja e tij e parë do të jetë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 14 tetor, para se të përballet me Meksikën tri ditë më vonë.