Ka disa shqiptarë, të cilëve edhe shovinistët më të mëdhenj do t’ua kishin zili…Një të tillë zbulova këto ditë nga faqet e portaleve, jetoka në Serbi dhe një ditë, përskaj Sheshelit mund t’ia venë edhe atij përmendoren në Beograd!
Nga Daut DAUTI
Duhet të ketë qenë viti 1988 ose ’89, në kulmin histerisë nacionaliste serbomadhe. Ishte dhe kohë e presionit të madh ndaj Kosovës, por dhe e rezistencës së fortë të atyre që nuk pajtoheshin. Në çdo forum, në Parti(LK), në Frontin Popullor(LSPP), në Rini(LR), madhe dhe në sindikatë e në çdo “celulë” të shoqërisë, luftë kundër “nacionalizmit(irredentizmit, separatizmit) shqiptar”, sidomos në Kosovë. Por, atje dhe intelektualët dhe elita politike, pra edhe në forumet e përmendura, tashmë ishin diferencuar…Nejse, s’po e kthej gjithë historinë prapa, vetëm desha të risjell një episod të shkurtër profesionale që m’u kujtua. Redaksia, si gazetar që s’kisha një vit që isha pranuar në punë, më dërgoi në Konferencën e Lidhjes së Rinisë së Kosovës, në Prishtinë. Atëherë në krye të saj ishte një farë Rexhepi me mbiemrin Hoxha, thoshin se nuk është shqiptar. Kjo nuk është aq me rëndësi. Se kishte edhe shumë shqiptarë si ai, përkrahës të politikës së Millosheviqit, do Rahman Morina e Hysamedin Azema e do Ali Shukrija e Sejdo Bajramoviqa…
Në atë konferencë dyditëshe, pati shumë diskutime “luftëtarësh” të nacionalizmit, dhe edhe më shumë sish që thoshin se s’ka nacionalizëm. Aty e pata njohur edhe një djalosh që në mënyrë të argumentuar mbronte kauzën e të drejtës, sot të gjithë e njohin, Nexhmedin Spahiun, të cilin pas masave të dhunshme serbe, shpesh e takoja në Tiranë, i cili më jepte tekste analitike për t’i botuar në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Por, në këtë konferencë, më la përshtypje të hidhur diskutimi i një shqiptari, që m’i përzjeu zorrët, kam harruar në ishte nga Podujeva apo Fushë Kosova. Ia kam harruar edhe emrin, por jo dhe diskutimin e tij, që më bëri përshtypje se me shumë zjarr e mbronte politikën e Millosheviqit. Më la përshtypje edhe mosha e tij, duhej të ishte afruar të dyzetave, ndërkaq delegat rinie! Pasi dëgjova çfarë shkretoi për organizatën rinore “të indoktrinuar dhe nacionalizmin shqiptar”,më intrigoi pa masë që ta njoh kush është ky babaxhan. Në mua u ngjall ai psikologu i dështuar që e kisha pas si opsion për të studiuar (në momentin e fundit hoqa dorë për të shkuar në Fakultetin e Gazetarisë!) dhe desha ta bëj një intervistë sy më sy me të, desha ta shoh prej së afërmi si mundet një shqiptar të jetë aq mohues i qenësisë së vet kombëtare, si mundet të jetë i dashuruar në armikun që nuk mund ta shihte që ishte armik! E luta një koleg gazetar të Prishtinës ta sjellë lartë në galerinë ku përcillnim punët e konferencës, dhe ai e bëri këtë.
Gjersa e provokoja me pyetje, vëreja si i dridhej buza, si i kërcenin damarët e ballit… Ishte një tip neurotik, sikur të kishte përjetuar ndonjë dramë jetësore që e kishte shtyrë të bëhej avokati i djallit. Kishte diçka jo të shëndoshë te ai njeri që i thurte lavde Millosheviqit. Intervistën me të e botova në gazetë, që lexuesit të shohin si funksionon truri i një njeriu të verbër, që përderisa Kosova e tij vuante nga presioni serb(burgjet plot, diferencime me qindra…), e ai i dashuruar në xhelatin…Si i thoshin kësaj gjendje, “sindromi i Stokholmit”?
Kjo që m’u kujtua për këtë specie të veçantë të llumit të një shoqërie, nuk ishte e rastit. Sepse, lexova diku se qenka një i tillë si ai edhe sot(të numëroheshin në gishta, hallall!), njëfarë Demo Berisha(një oficer i pensionuar me origjinë nga Peja, që jetoka në Novi Sad dhe udhëhiqka një shoqatë me emër pretencioz, “Amza shqiptare në Serbi” (Matica Albanaca u Srbiji). Kjo shoqatë na paska nja ka 4600 anëtarë dhe funksionoka nën sloganin; “Për atë, sepse jetojmë bashkë” (Zato što živimo zajedno).
Nejse, që jeton në Serbi, mund të kuptohen disa relativizime kundrejt bashkëjetesës së imponuar atje, por nuk mund të kapërcesh përtej qëndrimeve që i paska shprehur ndër vite, edhe disa shovnistë që i njohim do t’ia kishin zili! Vargu margaritarëve të tij qenka impresiv dhe marr të drejtën t’i risjell për lexuesit në Maqedoni, për të njohur këtë lloj të shqiptarit, i cili pas të gjithave që kemi kaluar, ende mund të deklarojë si vijon(shkëputur nga një autor tjetër):“Serbia është atdheu im, dhe unë nuk e njoh pavarësinë e Kosovës..”; “Kosova është Serbi, dhe NATO ka bërë agresion ndaj Serbisë..”,“Ngjarjet në Banjskë kanë qenë luftë e serbëve për mbijetesë në Kosovë dhe Metohi. Ata njerëz jetojnë aty dhe nuk kanë kah t’ia mbajnë.”; “E ardhmja e shqiptarëve në Serbi, nuk është as në Prishtinë, as në Tiranë”; “Terrori i egër shqiptar nuk ka fund, sepse Perëndimi ia ka lënë duart e lira A. Kurtit që ta spastrojë Kosovën nga serbët si dhe të bëjë spastrim etnik ndaj serbëve. Kjo është goditja më e rëndë ndaj serbëve që ata të ikin në Serbi.”; “Terrori i Kurti nuk ka të ndalur, shteti i rrejshëm i Kosovës po kërcënon me heqjen e dinarit serb në veri, njërit ndër simbolet e Serbisë në Kosovë..”; “Republika e Serbisë”, është atdheu edhe i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, dhe nuk do ketë kurrë bashkim të Kosovës me Shqipërinë, vetëm nëse këtë e lejojnë serbët, dhe për këtë duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës..”; “Insistoj në faktin se sulmuesit serb në Banjskë nuk janë terroristë, as diversantë të cilët kanë ardhur nga një shtet tjetër për të bërë kaos, ata janë njerëz që janë vrarë, janë burgosur dhe janë plagosur, janë ata të cilët jetojnë në atë hapësirë, të cilëve iu ka ardhur në fyt e keqja nga masat të cilat i ka ndërmarrë qeveria e A. Kurtit..”; “Amerika e ka ndërtuar këtë krijesë fantazmë (Kosovën shtet të pavarur), dhe kur ata duan të bëjnë diçka, ata e gjejnë edhe mënyrën..”
Që ka pas shqiptarë që u kanë shërbyer interesave të huaja, për fat të keq, s’mund ta mohojmë, dhe s’është çudi dhe të kenë mbijetuar edhe në kohën më të re, si ky farë Demo Berisha, të cilit një ditë, do të duhet t’ia ngrenë një përmendore përskaj Sheshelit, sepse, nuk dallon fare prej tij kundrejt çështjes së Kosovës!
P.S. Kërkoj falje nga lexuesit nëse ua kam prishur vikendin me këto citate për psikanalizë frojdiane!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)