E mërkurë, 19 Mars, 2025
8.8 C
Skopje

KALENDARI I DATAVE JUBILARE: 13 propozime për përvjetorë shqiptarë

75 vjetori i themelimit të Teatrit Shqiptar, 80 vjetori i Radio Shkupit, 80 vjetori i lindjes së Abdurahman Alitit… janë disa prej 13 përvjetorëve dhe datave jubilare që do të shënohen këtë vit. Me një vonesë prej disa muajsh, Komisioni parlamentar i kulturës dhe turizmit miratoi në fund të muajit të kaluar gjithsej 101 përvjetorë jubilarë, ndërsa Propozim-Programi duhet të miratohet nga Parlamenti të premten

Evis HALILI

Shkup, 6 mars – 75 vjetori i themelimit të Teatrit Shqiptar, 80 vjetori i Radio Shkupit, 80 vjetori i lindjes së Abdurahman Alitit… janë disa prej 13 përvjetorëve dhe datave jubilare që do të shënohen këtë vit, si pjesë e Programit për shënimin e përvjetorëve jubilarë të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishëm për vitin 2025. Me një vonesë prej disa muajsh, Komisioni parlamentar i kulturës dhe turizmit miratoi në fund të muajit të kaluar gjithsej 101 përvjetorë jubilarë, ndërsa Propozim-Programi duhet të miratohet nga Parlamenti të premten. Që në mbledhjen e parë, në muajin shtator, komisioni, i drejtoi kërkesë organeve shtetërore, shërbimeve publike, institucioneve shkencore, shoqatave të tjerë për të dorëzuar propozime për kalendarin e datave jubilare për 2025. Në Komision u përgjigjën vetëm 47 institucione me mbi 200 propozime, shkruan gazeta KOHA.

Deputetja Velika Serafimovska, kryetare e grupit të punës për përgatitjen e Projektprogramit ka theksuar se është inkurajuese që edhe pas tetë vitesh institucionet po na përgjigjen ende.

“Do të rikthejmë traditën e shënimit të datave të rëndësishme, të cilat ndërtojnë edhe kujtesën shtetërore. Në vetë programin i kushtuam vëmendje përmbushjes dhe përfaqësimit të të gjitha kritereve, por edhe përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve që jetojnë në vend. Kemi ngjarje që kanë të bëjnë me komunitete të caktuara etnike, sepse për ta është jashtëzakonisht e rëndësishme. Programi është vërtet i filtruar dhe i përshtatshëm”, ka thënë Serafimovska gjatë prezantimit të programit. Programi i propozuar përbëhet nga 101 përvjetorë jubilarë të ngjarjeve të rëndësishme.

Prej tre janë 13 data që lidhen me emra dhe ngjarje të shënuara për historinë dhe kulturën shqiptare. 75 vjetori i themelimit të Teatrit Shqiptar – Shkup (propozuar nga Teatri Shqiptar), 80 vjetori i Radio Shkupit (propozuar nga RSH), 10 vjetori i Festivalit ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës (propozuar nga TT), 5 vjetori i themelimit të Teatrit shqiptar për fëmijë dhe të rinj (propozuar nga TSHFR). 80 vjetori i vdekjes së Liman Kabës (propozuar nga Instituti i Historisë dhe Lidhja e luftëtarëve). Arkivi i shtetit me dy propozime – shënimin e 80 vjetorit të lindjes së Abdurahman Alitit dhe Asllan Selmanit. Nga komunat, ajo e Gostivarit me shënimin e 20 vjetorit të manifestimit “Flaka e janarit” dhe 100 vjetorin e lindjes së Azem Zulfiqarit. Ndërsa komuna e Dibrës – 90 vjetorin e lindjes së Qemal Ajdinit, komuna e Tetovës 80 vjetorin e themelimit të bibliotekës “Koço Racin”, si edhe komuna e Strugës 15 vjetorin e vdekjes së Beqir Zhutës. Po ashtu një tjetër datë është edhe 10 vjetori i themelimit të Ansamblit të këngëve dhe valleve “Ilirida” – Shkup. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm