E mërkurë, 12 Shkurt, 2025
-2.2 C
Skopje

KARREMI DHE KAROTA! 6 miliardë ndihma, reforma dhe para

Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Njohësit e çështjeve evropiane theksojnë se nuk do të jetë e lehtë të arrihet deri tek miliardat evropiane, për shkak se ato ndërlidhen me reformat në fusha të caktuara

 

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 12 dhjetor- Komisioni Evropian ka miratuar muajin e kaluar planin ambicioz për rritje ekonomike në vendet e rajonit tonë. Në dokumentin e posacëm shpalosen planet se si të ndihmohen vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrihet një përafrim në zhvillimin ekonomik me Bashkimin Evropian. Plani përmban një varg propozimesh për integrimin e vendeve ballkanike në shumë politika dhe programe të BE-së edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut. Për t’i realizuar qëllimet e këtij plani të rritjes, Komisioni Evropian ka propozuar edhe një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime. Mirëpo, njohësit e çështjeve evropiane theksojnë se nuk do të jetë e lehtë të arrihet deri tek miliardat evropiane.

Krahas reformave specifike socio-ekonomike, përmenden edhe ato themelore si sundimi i ligjit, , demokracia dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Theksohet edhe stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxheteve. Stefan Ristovski, hulumtues në Institutin e Politikave Evropiane , thotë se është thelbësore të ketë progres në reforma, dhe përderisa Komisioni Evropian pritet të sqarojë se si do të funksionalizohet në praktikë kushtëzimi me reformat që ka ky Plan, është e qartë. se si vend do të duhet të punojmë edhe për integrimin ekonomik rajonal me vendet përreth.

“Plani i rritjes propozon një paketë prej shtatë fushash prioritare për integrimin në tregun e vetëm. Është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për një integrim më të afërt, pra për ‘qasje të lehtësuar’ në tregjet evropiane, dhe jo për akses të plotë dhe të lirë në treg (pa asnjë kufizim). Në çdo rast, funksionalizimi i tij mund të sjellë përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset e rajonit. Prandaj, progresi në kapitujt që lidhen drejtpërdrejt me fushat e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë vendimtare si për ne ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit”, thotë Ristovski. Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Në mënyrë që propozimi në fjalë të hyjë në fuqi, është e nevojshme që kjo të miratohet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe vendet anëtare. Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Maqedonia e Veriut, për shembull, duhet të reformojë mjedisin e saj të biznesit, të krijojë një administratë publike efikase, të ketë financa publike të shëndosha dhe të përmirësojë luftën kundër korrupsionit. Ajo gjithashtu duhet të ndryshojë kushtetutën për të njohur bullgarët si pakicë, siç kërkohet nga Bullgaria, për të lejuar që vendi të anëtarësohet në BE, thotë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fond der Lajen.

SI DO MERREN 6 MILIARDË EUROT?

Plani i Rritjes bazohet në katër drejtime kryesore. Ato synojnë (i) shtimin e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e këtij tregu; nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat kanë mundësi të rrisin ekonomitë tona me 10 përqind në katër vjet; përshpejtimin e reformave themelore, duke përfshirë ato tërësore(të quajtura cluster), për sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja në rajon, si dhe ) shtimin e asistencës financiare të BE-së, për të mbështetur reformat, përmes një Mekanizmi të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Kriteret që të meritosh miliardat e Brukselit janë katër: Të realizosh integrim ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së; Të realizosh Tregun e Përbashkët Rajonal; Të realizosh reforma tërësore(cluster); si dhe ta meritosh asistencën financiare të BE-së. Në bazë të këtij Plani, çdo vend partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një agjendë (plan) të vetin reformash, bazuar në rekomandimet e BE-së, duke përfshirë reformat e synuara dhe fondet nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe nga Programet e Reformës Ekonomike të Bashkimit Evropian.

“KAREMI” 6 MILIARDË EURO

Arsyetimi që qëndron pas këtij plani rritjeje të Bashkimit Evropian, është fakti që niveli i të ardhurave për frymë dhe i rritjes ekonomike të gjashtë vendeve tona është shumë më mbrapa se ritmi i rritjes dhe niveli i të ardhurave të 28 vendeve të Bashkimit Evropian. Plani i Rritjes duhet t`i dyfishojë ekonomitë e vendeve të rajonit, nga 6.000 Euro të PBB-së mesatare për çdo banori sa është aktualisht, për dhjetë vite të jetë në 12.000 Euro.

Konvergjenca ekonomike është çelësi për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Niveli i konvergjencës midis vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian aktualisht nuk po përparon mjaftueshëm shpejt, me GDP-në mesatare për frymë të shprehur në barazinë e fuqisë blerëse për Ballkanin Perëndimor midis 30 për qind dhe 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto mesatare për frymë në Bashkimin Evropian. Apo thënë , ndryshe akoma jemi larg mesatares evropiane të standardit me as gjysmën e fuqisë ekonomike.

Integrimi me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që janë anëtarësuar në Union. Duket qartë ndikimi pozitiv në PBB dhe në nivelin e të ardhurave të një vendi të caktuar si rezultat i integrimit në tregun e përbashkët të BE-së. Kështu që Komisioni Evropian ka caktuar një thes me para(6 miliardë euro), në formë “karemi” apo “karrotë ”, për të nxitur vendet tona, që të kryejmë reformat që kërkohen prej nesh. Në këmbim, do të marrim para në formën e ndihmës ndaj buxheteve të shteteve tona dhe në formën e projekteve të zhvillimit. Pa dyshim që kjo mbështetje nga Brukseli do të shërbejë si një shtysë e madhe për vijimin e reformave në Ballkan.

KRITERET QË TË MERITOSH MILIARDAT E BRUKSELIT

  •  Të realizosh Integrim ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së
  • Të realizosh Tregun e Përbashkët Rajonal
  • Të realizosh reforma tërësore (cluster)
  • Ta meritosh asistencën financiare të BE-së.

(koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm