Pas javësh të tëra spekulimesh dhe thashethemeve, Katy Perry dhe Orlando Bloom më në fund e kanë konfirmuar ndarjen e tyre, duke i dhënë fund një marrëdhënieje që kishte nisur në vitin 2016 dhe ishte kurorëzuar me fejesë në Ditën e Shën Valentinit në vitin 2019.
Çifti është gjithashtu prindër i vajzës Daisy Dove, e cila është tashmë katër vjeç.
Pas raportimeve të vazhdueshme për krizën në marrëdhënien e tyre, përfaqësuesit e çiftit konfirmuan për DailyMail se: “Orlando dhe Katy kanë ndryshuar dinamikën e marrëdhënies së tyre përgjatë muajve të fundit për t’u përqendruar në bashkëprindërimin e vajzës. Ata do të vazhdojnë të shfaqen së bashku si familje, pasi prioriteti i tyre i përbashkët ka qenë – dhe do të mbetet – rritja e Daisy-t me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë”.
Ndarja u bë edhe më e dukshme kur Orlando, 48 vjeç, u shfaq i vetëm në dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez në Venecia, ndërsa Katy ndodhej në Australi në kuadër të turneut të saj.
Orlando publikoi disa postime misterioze në rrjetet sociale, ku përmendte vetminë dhe errësirën, ndërsa Katy u pa teksa përlotet në skenë gjatë një koncerti në Australi, vetëm pak ditë pasi lajmi për ndarjen u bë publik.
Një burim për Us Weekly më herët kishte thënë se: “Katy dhe Orlando janë ndarë, por marrëdhënia mes tyre mbetet miqësore. Nuk ka pasur përplasje të ashpra – ndarja ka qenë relativisht e qetë”.
Burimi shtoi gjithashtu se ndonëse Katy është e mërzitur, ajo ndihet e lehtësuar që nuk i duhet të kalojë një tjetër divorc, duke kujtuar ndarjen e saj nga aktori Russell Brand në vitin 2012.
Thuhet se kriza në marrëdhënien e tyre kishte kohë që ishte duke u ndërtuar, dhe turneu muzikor i Katy-t, “Lifetimes Tour”, ka shtuar më shumë distancë mes tyre.
Ndërkohë që Orlando shijonte ditë feste në dasmën e Bezos dhe më pas në një lundrim luksoz në jahtin “Luminara”, ai u pa edhe në shoqërinë e Vittoria Ceretti, e dashura aktuale e Leonardo DiCaprios, gjatë një udhëtimi me taksi ujore në Venecia.
Nga ana tjetër, Katy – e cila ishte më parë pjesë e misionit hapësinor të Jeff Bezos me anëtare femra dhe mysafire në beqarinë e Lauren Sánchez në Paris – mungoi në dasmë, me arsyetimin se kishte angazhime në Australi për shkak të turneut të saj.
Gjatë një koncerti në Adelaide, Katy i prekur emocionalisht, i falënderoi fansat duke formuar një zemër me duar dhe duke thënë: “Faleminderit, Australi, që gjithmonë keni qenë aty për mua”.
Në javët e fundit, një sërë faktorësh kanë rënduar mbi marrëdhënien e tyre. Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se albumi më i fundit i Katy-t, “143”, nuk është pritur mirë nga publiku dhe kritika, duke shkaktuar zhgënjim dhe stres të madh për këngëtaren.
“Katy ishte shumë e frustruar nga reagimet për albumin e saj të ri. Ishte një periudhë e vështirë për të”, ka thënë një burim për DailyMail.com.
Edhe Orlando ishte mirëkuptues, por situata e rënduar shkaktoi tensione në marrëdhënien e tyre.
“Ka pasur tension mes tyre për muaj të tërë. Nuk kanë gjetur kohën të ulen dhe t’i përballojnë problemet bashkë. Ndarja nuk ishte e menjëhershme, por ishte një proces i ngadaltë dhe i pashmangshëm”, tha burimi.
Një tjetër burim shtoi: “Katy është zhgënjyer edhe nga disa prej kritikave për turneun. Gjithçka ka qenë stresuese për të”.
Për më tepër, thuhet se që prej muajit prill, kur filloi “Lifetimes Tour”, çifti po jeton të ndarë, çka ka ndikuar ndjeshëm në largësinë emocionale mes tyre.
Katy Perry dhe Orlando Bloom filluan lidhjen në fillim të vitit 2016, pas një feste pas ndarjes së Golden Globes. Marrëdhënia e tyre ka pasur ulje-ngritje – përfshirë një ndarje në vitin 2017 – por ata u ribashkuan dhe u fejuan në vitin 2019 me një unazë mbi 4 karatësh, me vlerë thuhet rreth pesë milionë dollarë (4.2 milionë euro).
Në gusht 2020, çifti mirëpriti vajzën e tyre Daisy Dove, ndërsa Orlando ka edhe një djalë, Flynn, nga martesa e tij me modelen Miranda Kerr.
Në vitin 2021, ata bashkëpunuan për herë të parë në ekran në një film të shkurtër me mesazh politik, duke bërë apel për të mbrojtur demokracinë në SHBA.