Disa deputetë aktual në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, morën kërcënime me jetë nëpërmjet e-mail adresave. Teksti kërcënues u është dërguar deputetëve: Ali Ahmeti, Arbana Pasholli, Blerim Bexheti, Dijana Toska, Ismail Jahoski, Rina Ajdari dhe Sadulla Duraki. Në përmbajtjen e tekstit ka edhe fjalë fyese, ndërsa janë kërcënuar edhe familjarët e deputetëve në fjalë.
Nga BDI u bëjnë thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë rastin e-mail-it kërcënues ndaj deputetëve të kësaj partie dhe kërkojnë që autorët të nxirren para drejtësisë.
“Jemi dëshmitarë të kërcënimeve serioze dhe mesazheve të dhunshme drejtuar deputetëve të BDI-së, të cilat jo vetëm janë kërcënim për anëtarët tanë, por edhe sulm direkt ndaj vlerave dhe institucioneve demokratike të vendit tonë. Këto incidente tregojnë shkallën e lartë të intolerancës dhe urrejtjes që përhapet në të gjithë shoqërinë tonë dhe kjo duhet të dënohet nga të gjithë”, thonë nga BDI.
Nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, e kanë dënuar çdo formë kërcënimi, tentativë për dhunë apo nxitje për dhunë dhe kanë kërkuar nga institucionet që dërguesi të identifikohet dhe sanksionohet.
“Në shoqëritë demokratike nuk ka vend për kërcënime, ngacmime në asnjë formë. Andaj, kryetari Gashi fton dhe inkurajon të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë menjëherë në këtë rast. Kryetari Gashi thekson se ndan shqetësimin e deputetëve dhe familjeve të tyre”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Rasti menjëherë është denoncuar, me çka është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga atje thonë se është njoftuar Njësiti për krim ekonomik dhe kompjuterik në kuadër të SPB Shkup dhe po ndërmerren masat për zbardhjen e rastit.