“Në mëngjes kam biseduar me ministrin e Jashtëm të vendit, Timço Mucunski, i cili ka biseduar me të gjithë apo me një pjesë të madhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në vend dhe jashtë vendit. Disa prej tyre i kanë thënë se edhe personalisht kanë biseduar me përfaqësues të BDI-së dhe se kjo tek ata paraqet emocione negative dhe dëshpërim të madh për shkak se një nga postulatet bazë në demokracisë – është jo përzierja në sistemin e drejtësisë në një shtet sovran”, theksoi Mickoski
Ersan PAJAZITI
Shkup, 5 mars – Qëndrimet e BDI-së apo më saktësisht deklaratat e fundit të nënkryetarit të kësaj partie, Bujar Osmani, i cili ka thënë se nuk mund të ketë zgjedhje pa u kthyer Balancuesi, si dhe se do të shkaktohet krizë politike nëse preket gjuha shqipe, kanë shkaktuar reagim të madh dhe dëshpërim jo vetëm te faktori politik i brendshëm, por edhe te komuniteti ndërkombëtar, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se për këtë është informuar nga ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. Sipas Mickoskit, partitë politike nuk duhet të përzihen në punët e gjyqësorit.
“Në mëngjes kam biseduar me ministrin e Jashtëm të vendit, Timço Mucunski, i cili ka biseduar me të gjithë apo me një pjesë të madhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në vend dhe jashtë vendit. Disa prej tyre i kanë thënë se edhe personalisht kanë biseduar me përfaqësues të BDI-së dhe se kjo tek ata paraqet emocione negative dhe dëshpërim të madh për shkak se një nga postulatet bazë në demokracisë – është jo përzierja në sistemin e drejtësisë në një shtet sovran”, theksoi Mickoski, i cili kishte edhe porosi të drejtpërdrejtë për nënkryetarin e BDI-së. “Njeriu, i cili ka negociuar dhe e ka shitur identitetin tim maqedonas dhe gjuhën time maqedonase, ka më së paku kredibilitet për të folur, për shkak se nëse ai nuk më respekton mua, nuk e respekton as gjuhën e vet amtare, gjuhën shqipe”, tha kryeministri Mickoski.
Sa i përket bojkotit të zgjedhjeve lokale, Mickoski tha se secila parti ka të drejtë të funksionojë në bazë të asaj që mendon, mirëpo paralajmëroi se periudhën në vijim do të ketë momente të reja për këtë parti.
“Secili ka të drejtën e vet se si të funksionojë politikisht. Shteti ka qeveri, ka institucione të cilat funksionojnë. BDI ka funksionuar njëzet e sa vite, i ka shkelur të gjitha principet, ishte shembull për standarde të dyfishta, në vitet e fundit të qeverisjes së tyre ishte shembull për krim dhe korrupsion. Mendoj se atje mbizotëron një panik dhe frikë, që duket prej komenteve të udhëheqësve të asaj partie, e për çfarë bëhet fjalë, shumë shpejtë opinioni do të jetë dëshmitarë”, tha Mickoski, duke komentuar deklaratat e fundit të nënkryetarit të BDI-së Osmani.
A ËSHTË TAKUAR MICKOSKI ME GRUVSKIN NË BUDAPEST?
Ndërkohë deklaratat e kryeministrit vijnë pas vizitës në Hungari, ku u mbajt një samit i përbashkët mes qeverive të dy vendeve. I pyetur se a është takuar me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, tha se ai nuk është takuar, por paralajmëroi se së shpejti do të del me dëshmi, ku do të prezantojë takime të funksionarëve të qeverisë së kaluar me ish kreun e qeverisë dhe të VMRO-DPMNE-së, Gruevski i cili ndodhet në azil politik në shtetin hungarez. “Nuk janë takuar, por në qoftë se do të isha takuar do të kishit qenë të informuar, sepse unë udhëheq politikë sipas principit, e vërteta është më e saktë, ashtu që besoni çdoherë kur diçka do të ndodhë,unë atë do ta them, sepse nuk kam çfarë të fsheh. Gjithashtu në emër të asaj të vërtete mund të vërtetojë, shumë shpejtë edhe me dëshmi se funksionarët e ish koalicionit qeveritar LSDM-BDI janë takuar në Budapest me z. Nikolla Gruevskin, për çka nuk kanë dhënë përgjigje se janë takuar”, theksoi Mickoski.
Që në vitin 2023, atëherë si lideri i opozitës, Mickoski, pretendonte se Gruevski ishte në komunikim të fshehtë me atëkohë Qeverinë.
“Qeveria beson se mund ta ndajë partinë tonë.” Por kjo nuk do të ndodhë, është i bindur kreu i opozitës. “Bëmë gjithçka për perspektivën tonë evropiane. Por neve vazhdimisht na vendosen kërkesa të reja.” Kjo tani merr fund – nëse nuk pranohet propozimi i tij për zbatimin e shtyrë të ndryshimeve kushtetuese, atëherë nuk do të ketë fare ndryshime në Kushtetutë, tha atëherë Mickoski në një intervistë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Ndryshe, kërkesa e fundit për ekstradimin e Gruevskit është bërë në vitin 2019 për të gjitha procedurat për të cilat është shpallur fletarrest. Kërkesa u refuzua nga Hungaria me arsyetimin se Gruevskit i ishte dhënë azil dhe, sipas ligjit të tyre, ai nuk mund të ekstradohej në shtetin nga i cili kishte ardhur.
MICKOSKI KOMENTON EDHE INTERPELANCAT PËR KËSHILLIN GJYQËSOR
Kryeministri Hristian Mickoski pret që të votohen interpelancat për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor në Kuvend, sipas gjitha gjasave në mbledhjen e së martës, 11 mars, të cilat i parashtroi shumica qeveritare me nënshkrime nga 67 deputetë. I pyetur për pritjet nga rezultati i mbledhjes në të cilën do të debatohet për revokimin e anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi – Vesna Dameva, Tanja Çaçarova – Ilievska, Pavlina Cërvenkovska, Milazim Mustafa dhe Selim Ademi, Mickoski u përgjigj: “a duhet koment për atë çka duhet të bëjmë – dihet”.
“Ata plotësisht e humbën besimin para qytetarëve dhe duhet të votohet ajo interpelancë dhe në vendin e tyre të vijnë njerëz të cilët do të jenë mbrojtës të vërtetë të drejtësisë. Sepse del se disa individë gjykatës dhe prokurorë janë mbrojtja e fundit e ish koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI”, deklaroi kryeministri Mickoski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas vizitës së punës në Marinë të Shkupit. Në pyetjen nëse Qeveria e ka dërguar propozimin për shkarkimin e Lupço Kocevskit në Prokurorinë Themelore Publike, kryeministri u përgjigj se letra për ndërrimin e prokurorit shtetëror publik është dërguar dhe vlerëson se “tashmë duhet të ketë mbërritur”.
NUK JAM TAKUAR ME GRUEVSKIN NË BUDAPEST
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se gjatë qëndrimit në Budapest, ku është mbajtur seanca ndërqeveritare, nuk është takuar me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, por se kanë zhvilluar takime ish-zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së. Në pyetjen e një gazetari se a është takuar me Gruevskin në Budapest, por edhe për përfitimet që i ka vendi nga seanca dhe vizita e përbashkët atje, ai tha se takim të tillë nuk ka pasur dhe nëse do të kishte do të informohej opinioni, sepse ai udhëheq politikë transparente.
“Nikolla Gruevskin nuk e kam takuar në Budapest, por nëse e takoj – do të informoheni sepse unë ndjek një politikë të bazuar në parimin se e vërteta është më e sakta. Më besoni, sa herë që ndodh diçka, e them dhe nuk kam asgjë për të fshehur, por edhe në emër të asaj të vërtete mund të konfirmoj dhe shumë shpejt me dëshmi, se një numër i madh i zyrtarëve të ish koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI janë takuar me Nikolla Gruevskin në Budapest dhe me këtë rast nuk kanë dhënë përgjigje të sinqertë”, theksoi Mickoski gjatë vizitës së sotme në Komunën e Ilindenit.
Duke vlerësuar volitshmërinë e mjeteve në vlerë prej një miliardë eurosh të ardhura në vend nga Hungaria, ai tha se kjo qeveri po punon në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase. Mickoski konfirmoi se me mjetet nga linja hungareze, borxhi i shtetit është zvogëluar për tre për qind. (koha.mk)