“Kërkojmë donacione vullnetare të mollëve dhe misrit nga prodhimi vendor me qëllim që ushqimi të jetë sa më i afërt me dietën natyrore të ariut, e cila kryesisht bazohet në bimë”, thuhet në apelin e drejtorisë së Parkut Kombëtar “Mali Sharr”
Urim HASIPI
Tetovë, 1 qershor – Për shkak të mungesës së ushqimeve në vendet më të larta, kohëve të fundit janë regjistruar paraqitje të arinjve në territorin e Parkut Kombëtar “Malin Sharr”. Në këtë periudhë të vitit, gjithnjë e më shumë arinjtë zbresin edhe afër vendbanimeve për të gjetur ushqim. Kjo e bën më të rrezikshëm qëndrimin në këtë park kombëtar të vizitorëve të shumtë. Prandaj, nga drejtoria e Parkut Kombëtar kanë ndërmarrë një aksion për të siguruar ushqim për arinjtë.
“Për të reduktuar rrezikun nga takime të padëshiruara me njerëzit dhe për të ndihmuar në shëndetin dhe sigurinë e këtyre kafshëve të rëndësishme të malit tonë, po nisim një iniciativë për ushqim simbolik të arinjve në vende të largëta dhe të sigurta, larg vendbanimeve dhe shtigjeve malore. Kërkojmë donacione vullnetare të mollëve dhe misrit nga prodhimi vendor me qëllim që ushqimi të jetë sa më i afërt me dietën natyrore të ariut, e cila kryesisht bazohet në bimë”, thuhet në apelin e drejtorisë së Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Sipas këtij institucioni, shpërndarjen e ushqimit do ta kryej vet drejtoria e Parkut Kombëtar, në bashkëpunim me shërbimin vullnetar, në përputhje me programin për mbrojtje, rritje dhe menaxhimin e botës së egër (2023-2033), ku rekomandohet ushqim simbolik si metodë për monitorim dhe mbrojtjen e botës së egër.
“Nëpërmjet këtij aksioni do të parandalohet afrimi i padëshiruar i arinjve tek vendbanimet, do të ndihmohet ruajtja e zakoneve natyrore të tyre të ushqimit, do të mundësohet monitorimi i numrit të tyre, shëndetit dhe strukturës së tyre sipas moshës. Donacionet pranohen vetëm mollë dhe misër nga prodhimi vendor, pa trajtime kimike”, informuan nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Donacionet mund të dorëzohen në vet hapësirat e Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Ndërkohë, nga ky institucion kanë bërë të ditur se këtë javë fillon vendosja e pajisjeve për 5 fermerë dhe bletarë privatë në territorin e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” për mbrojtje nga grabitqarët e mëdhenj respektivisht ariu dhe ujku.
Sipas informacioneve vendosja e rrjetave elektrike është një donacion nga kompania “Adria” nga Kroacia. Këto rrjete do të vendosen në fshatin Bozovcë.
“Rrjetat elektrike në Bashkimin Evropian përdoren si masë parandaluese efektive për mbrojtjen e bagëtive, bletarive, kulturave bujqësore dhe pasurisë nga sulmet e grabitqarëve të mëdhenj, siç janë arinjtë dhe ujqërit. Kjo pajisje ndihmon në zvogëlimin e konflikteve midis njerëzve dhe kafshëve të egra dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit”, sqarojnë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Nga ky institucion thonë se “qëllimi i aktivitetit është ulja e dëmeve të shkaktuara nga grabitqarët e mëdhenj, mbrojtja e bagëtive dhe produkteve bujqësore, parandalimi i konflikteve të mundshme njeri-kafshë, rritja e vetëdijes për mbrojtjen e kafshëve të egra dhe habitatit të tyre natyror” kanë bërë të ditur autoritetet drejtuesve të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. (koha.mk)