Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, këtë të shtune ka njoftuar se janë duke zhvilluar trajnime ushtarake në kontrollimin e trazirave dhe turmave.
Përmes një postimi në Facebook, KFOR-i njoftoi se forcat italiane dhe çeke bashkërisht janë duke zhvilluar stërvitjet, për siç thanë ata, “fuqizimin e ndërveprueshnërisë”.
“Njësiti Multinacional i Specializuar po kryen trajnime për Kontrollin e Turmave dhe Demonstratave këtë javë. Karabinierët italanë dhe personeli ushtarak i Çekisë po trajnohen bashkërisht për të fuqizuar ndërveprueshmërinë e njësitit, si dhe për të mirëmbajtur aftësitë dhe gatishmërinë operacionale”, ka njoftuar KFOR-i.
Në Veri të Kosovës, e populluar me shumicë serbe, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët sulmuan pjesëtarët e misionit e NATO-s në Kosovë, KFOR-in në Zveçan.
Kur serbët sulmuan pjesëtarët e misionit e NATO-s në Kosovë, KFOR-in në Zveçan.
BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Kosovës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.
Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.
Kosova e quajti si të padrejtë vendosjen e këtyre masave shtrënguese, ndërsa pranoi se të njëjtat po e dëmtojnë vendin në aspektin socio-ekonomik.