Edhe pas shumë paralajmërimeve për realizimin më në fund të investimeve në Kodrën e Diellit si qendra më e madhe skitare dhe malore në vend, akoma gjërat shumë pak kanë lëvizur nga vendi
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 dhjetor – Edhe pas shumë paralajmërimeve për realizimin më në fund të investimeve në Kodrën e Diellit si qendra më e madhe skitare dhe malore në vend, akoma gjërat shumë pak kanë lëvizur nga vendi. “Edhe një vit pas zgjedhjes së investitorit strategjik për perlën malore të Maqedonisë së Veriut, procedurat për miratimin e marrjes së qendrës së skijimit nga kompania italiane janë ende në vazhdim”, thonë nga Ministria e Ambientit. Sipas ministres së këtij dikasteri Kaja Shukova, procedurat po shkojnë në drejtimin e duhur për këtë projekt. “Shpresoj që të plotësohen të gjitha kushtet që investitori duhet t’i sigurojë që Qeveria, e më pas Kuvendi, ta miratojë një projekt të tillë strategjik”, thekson Shukova.
Lidhur me zgjatjen e punës, ajo thekson se deri tani janë shqyrtuar ligjet dhe dokumentet. Kjo është një proces, duhet të kalohet, mblidhen mendime nga ministritë përkatëse duhen parë disa aspekte, duhet parë aspekti mjedisor, ekonomik, social, pra nuk është e thjeshtë. Kjo nuk është vetëm parashtrimi i kërkesës që të miratohet nga Qeveria dhe Parlamenti. Mirëpo, mendoj se është afër fundit, do të vendoset nëse investitori i ka përmbushur kushtet dhe nëse mund të arrihet një marrëveshje strategjike investimi, e cila do të kalojë në Qeveria e më pas në Parlamenti. Sipas saj, kushtet nga ana e shtetit për dhënien e qendrës së skijimit për investitorin strategjik janë plotësuar.
Njëherësh duhet të miratohet edhe investimi si strategjik nga ana e shtetit. Me fjalë të tjera, akoma po pret realizimi i investimit në Kodrën e Diellit prej nga ana e “Tehno Alpin” prej 180 milionë euro që premtohej të kthehet në një atraksion për vizitorët. Realizimi i investimit në terren akoma pret zgjidhjen e financimit të teleferikut nga shteti apo investuesi dhe jetësimin në praktikë të ligjit të ri për investime strategjike si dhe planin e detajuar urbanistik.
Me tejkalimin e këtyre pengesave, pritej që më fund perla e turizmit dimëror në Maqedoni me potencialin më të madh për të tërhequr turistë të shndërrojë potencialin e madh ekzistues edhe në burim fitimprurës për investitorin por edhe për banorët e kësaj ane.
Në fund të janarit u bë e ditur se çdo investim në Kodrën e Diellit që nuk përfshin ndërtimin e teleferikut nga Tetova është i kotë. Kështu kishin rënë dakord ministri i mëparshëm i ekologjisë Naser Nuredini dhe kompania italiane “Techno Alpin”, e cila erdhi në Maqedoninë e Veriut me idenë për të investuar mbi 180 milionë euro në Tetovë.
Mirëpo investitori kishte kërkuar zgjidhjen e problemit të teleferikut që nuk është në funksion më shumë se 20 vite për të realizuar investimin.
Nga Kompania “Techno Alpin” theksuan një vit më parë se krijimi i borës artificiale është jetik për të zgjatur sezonin dimëror më shumë se 90 ditë që do të justifikojë, kthejë investimet dhe do të sjellë fitime. “Vetëm investimi dhjetëra e qindra miliona eurosh do të jetë i garantuar se do të shpaguhet nëse ne kemi së paku 100 ditë skiimi. Nëse nuk kalojmë këtë kuotë, do jetë i panevojshëm ky investim. Skiatorët modern duan të vijnë kur ata kanë kohë 3-6 ditë e më tepër dhe jo veç kur bie borë . Kështu që qendra e skiimit do të jetë e gatshme për dimërim minimumi 100 ditë të vitit”, vlerësojnë nga “Techno Alpin”.
Investitori Tehno Alpin, është një lider botëror për prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale për vend skijime dhe si ekspert i mirënjohur në planifikimin dhe projektimin e terreneve dhe zonave të skijimit në qendra të ndryshme botërore.
Në fazën e parë të investimit, në periudhën 2023-2028 plani ishte të realizohen 55 milionë euro në vendosjen e dy teleferikëve të rinj me 6 dhe 8 ulëse, dy shtigje të reja skijimi, instalim i sistemeve për borë artificiale, park aventurash kënd lojërash, hapësirë për rekreim dhe relaksim, parking i ri i asfaltuar me hapësirë për parkim të 600 veturave, ndërtimi i rrugëve të reja qasëse.
Përskaj ndërtimit të dy hoteleve të reja, të kategorisë me katër yje, pritej të ndërtohen edhe dy hotele të reja në fazën e mëvonshme, ndërsa projekti parashikon edhe përdorimin e hoteleve ekzistuese së bashku me shtëpitë e vikendit që duhet të jenë në afërsi të ski qendrës. Në dekadën e kaluar pati më shumë premtime për ringjalljen e Kodrës së Diellit, mirëpo deri tani të gjitha mbetën vetëm në letër. Në vitin 2012, kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski paralajmëroi investime në Kodrën e Diellit në vlerë prej 30 milionë euro. Ai bëri të ditur se projekti do të realizohet në disa faza dhe se do të shpallet oferta për gjetjen e investitorit ndërkombëtar. Një vit më vonë, investime për këtë pikë turistike dimërore, kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorge Ivanov, i cili tha se një investitor nga Katari është i gatshëm të investojë në këtë qendër turistike.
Para tre vitesh, ish kryeministri Zoran Zaev, gjatë vizitës në Tetovë theksoi se për qendrën e skijimit në malin Sharr, janë në lojë investitorë potencial nga Katari, Zvicra, Italia, Gjermania dhe Austria. Ai me këtë rast ka thënë se në negociatat së bashku me Kodrën e Diellit do të ofrohet edhe qendra e skijimit Brezovica nga Kosova.
Projekti ishte parashikuar të realizohet sipas ligjit për koncesionet për partneritet publik-privat apo investime strategjike, në varësi të fazës përfundimtare të kontratës me një investim prej 50 plus 50 milionë euro. Thelbi ishte dhënia e koncesioneve për 99 vjet për një nga investitorët më të mëdhenj në vendpushimet e skive në Evropë, emri i të cilit mbetej sekret. (koha.mk)