E premte, 8 Nëntor, 2024
10.8 C
Skopje

Komedi dhe leksione nga Valon Syla

Nga Shkodran Hoti

Ai nuk është i zakonshëm. Sikurse s’është në studiot televizive, i tillë s’ishte as në skenë. Aty ku publiku kishte ardhur për të qeshur, por njëkohësisht po përplasej me realitetin e vrazhdë, të shpërfaqur me tone komike. Ai dha leksione për historinë e të tashmen, përmes të cilave ftonte për një të ardhme ndryshe: dalje nga depresioni kolektiv dhe më shumë pozitivitet.

Valon Syla për rreth një orë e gjysmë shkaktoi të qeshura konstante, krahas të cilave të vinin ndërmend përditshmëria e zymtë dhe e ngarkuar me “bullshitin” e mendjeve të ngushta. Ai hapur çau sajimet mbi të kaluarën dhe çmontoi falsitetin aktual të kultivuar veçanërisht në “livadhet” e jetës publlike, ku nxirren edhe “nënat me u shëtitë”. Krejt këtë përmes “Albanologjisë” së tij.
Albanologjia e Babikës” është më shumë se studim i historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare. Duke qenë në realitet historian që zhvesh historiografinë nga folklorizmi dhe ruan atë nga rrymat ideologjike, Valoni edhe përmes komedisë (jo vetëm mbrëmë), i shpërben narrativat në formë rrjetash me fije të megalomanisë, patetizmit, injorancës dhe marrëzisë. Për Babikën, ilirët e shpellave vinë në trajtat e politikanëve të sotëm. Kurse edhe trashëgiminë nga shqiptarët e mëpastajshëm e interpreton si një testament të komplikuar, duke e gdhendur nga lavdet dhe himnizimet e sforcuara.

Një qasje e tillë, që nuk ia kemi parë për herë të parë vetëm të shtunën në skenë, shpesh ka bërë që Valoni të etiketohet si provokator. Ai realisht është veç kritik therrës, që duke qenë jokonvencional, s’përton të shkaktojë tollovi në oborret ku mbretëron rendi dhe rregulli i imponuar. Siç e ka gjetur prej kohësh “gërnaçin” mes nesh, edhe në Stand Up Comedy ai e njoftoi publikun me “prishtinalinë pinjoll” që kërkon status special pse ka lindur në Prishtinë, me pantollonat e pejanit të veshura paksa çuditshëm, me gjakovarin që jeton me plagën e humbjes së lavdisë së dikurshme dhe “prizerenalinë” që ia mësoi djegësirën ushtarit gjerman.

Babika shembte provincializmat e shumëfishta të të gjitha anëve dhe duartrokitej nga e gjithë salla e mbushur nga njerëz të krejt këtyre lokaliteteve. Ai trumpetonte përditshmërinë e secilit prej nesh, që e njohim dhe kuptojmë mirë, por thuajse kurrë s’e diskutojmë zëshëm. Gjithashtu i nxirrte nga margjinat edhe grupet që njihen si “të margjinalizuara”, duke i shkundur, për t’i vënë ne pah edhe disa kontraversitete të tyre, të cilat rëndom kujdesemi t’mos i përmendim me frikën që të mos tingëllojmë a dukemi paragjykues apo lëndues.

Guximshëm në çdo moment e duke mos lënë asgjë pa prekur, nga Shkolla e Muzikës në Mamushë e deri te Shtëpia e Bardhë në ShBA, Valon Syla solli edhe portrete personalitetesh të skenës publike me “lapsin” e tij gjurmëlënës. Shpalosi po ashtu profilet e partive politike në mënyrë më të përsosur sesa manifestet e tyre. Të gjithë qeshnin, edhe pse disa prej tyre ishin prezent në sallë. Sepse secili e di se Valoni është kokë e kembë origjinal dhe nuk i njeh kompromiset e rrugët e tërthorta.

Valon Syla shkëlqeu mbrëmë, kurse secili në sallë në fund doli më i qeshur dhe me i lumtur. Ai dhuroi mbrëmjen më të bukur të vitit dhe një Stand Up Comedy që nuk e kemi parë deri tash. I jemi mirënjohës. I jemi falënderues.

(Marrë nga Gazeta Express)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm