Industria e automobilizmit ka injoruar paralajmërimet e një dekade më herët se teknologjia moderne e veturave pa çelësa sjell rrezikun për vjedhje më të lehtë, ka zbuluar një hulumtim i kryer nga “Observer”. Hulumtuesit para më shumë se dhjetë vjetësh patën alarmuar se sistemi i veturave pa çelësa nuk është i sigurt. Më 2011, hulumtuesit e Universitetit të Kalifornisë dhe atij të Washingtonit patën alarmuar se ekziston rreziku që veturave moderne t’u kopjohet kodi dhe që atyre t’u hapen lehtësisht dyert dhe të ndizet motori. Sipas gjetjeve, hajnat e kanë më të lehtë të imitojnë kodin e veturave dhe për 20 sekonda po arrinin t’i thyenin.
Si pasojë, në Evropë pati rritje të numrit të vjedhjeve të veturave. Siç shkruan “The Guardian”, në Angli dhe Uells në mars të 2023-s u përmbyll viti me më së shumti vjedhje në dekadë. Jaguar Land Rover njoftoi në nëntor se do të investojë 10 milionë funte për të shtuar sigurinë te modelet e prodhuara në periudhën 2018-2022. Hulumtimi ka zbuluar se edhe kompani të tjera kanë këtë telash. Hyundai po ashtu ka konfirmuar se po punon me prioritet në parandalimin e vjedhjeve të veturave. Shoqata e Prodhuesve të Veturave në Britani ka mohuar se industria ka dështuar në aspektin e sigurisë.