Dhe sot e kësaj dite, çështja e simboleve është një proces i papërfunduar! Stema u vu në rend dite, u hoq, flamuri i socializmit u ndërrua me tjetër, pastaj edhe ai u hoq, himnin e këndojnë maqedonasit, por si ta këndojnë shqiptarët..?
Nga Daut DAUTI
Në fund të vitit që lamë pas u gjetëm në ankth, e pastaj u liruam prej tij. U liruam nga synimi i ministres së arsimit që në raste të caktuara solemnitetesh në shkollat e mesme të intonohet “himni shtetëror” dhe kjo të rregullohet me ligj. Nga rezistenca e hasur te partitë shqiptare, ministrja zbuste qëndrimet se kush nuk do, nuk do ta ketë obligative intonimin e himnit, porse me idenë që për këtë të vendosin këshillat e komunës, gjegjësisht i Qytetit të Shkupit, nuk linte shumë vend për manovra. Sepse, nëse dhjetëra shkolla të mesme të Shkupit vendos Këshilli i Qytetit, s’do mend se nxënësit shqiptar do të duhej të rrinin gatitu para intonimit të himnit me të cilin nuk mund të identifikohen… Por partitë shqiptare, gjitha me ndikimin e vet, e sprapsën pak ministren, për një tërheqje taktike ndoshta, që t’i rikthehet “çështjes” për një kohë më të mirë.
Himni është vetëm një nga simbolet me të cilin do të duhej të shprehej identiteti shoqëror, shtetëror, apo etnik, varësisht kush si i ka qëllimet. Por si tendencë, s’do të jetë e para, ndaj një historik të shkurtër, para se në vazhdimin e dytë të këtij shkrimi (për kolumnën tjetër) t’i kthehem përsëri himnit për të dhënë argumentet pse atë nuk mund ta këndojnë fëmijët shqiptarë, por edhe më tepër, pse ai ka mbetur disi i padefinuar edhe brenda etnitetit maqedonas.
A ju kujtohet “Prerodba” e famshme e Gruevskit me të cilinë kishte ardhur në pushtet? Kur e kishte promovuar si program parazgjedhor, gjithë opinion publik kishte rënë në grackë duke menduar se ai, duke pasur përvojën e mëparshme të një ministri për çështje ekonomike dhe financa, fokusin e ka në rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Falë kësaj bindjeje, ia kishin dhënë votën shumica e qytetarëve.
Por çka na doli pastaj? Na doli se “Prerodba” e Gruevskit ishte një lloj “rilindje kombëtare”, një diskurs apo program nacional për vetëdijesim kombëtar për rrënjët etnike, gjë së cilës ia kushtoi sidomos mandatin e tij të fundit me projektin e famshëm “Shkupi 2014”. Në mishmashin e këtij projekti çka nuk ka: ndërtesa barok që s’kanë lidhje me traditën e nënqiellit tonë, dhjetëra buste figurash historike e kulturore maqedonase(në atë “kallaballëk” u gjet vend edhe për ndonjë të huaj), por strumbullari i këtij projekti, ishte Leka i Madh (“Kalorësi”) me gjithë familje (Filipi II dhe Olympia) në sheshin e Shkupit. Ky dhe ishte qëllimi i megaprojektit: ngritja e një vetëdije për madhështinë dhe lavdinë e prejardhjes së popullit maqedonas.
Gjithçka do të ishte në rregull, sikur këtu të mos bëhej një kthesë radikale nga ajo histori zyrtare që mësohej deri tash. Sepse, duke i “ngulur” kalorësit e së kaluarës në sheshin e shekullit 21 të kryeqytetit, u angazhuan dhe një numër historianësh e intekeltualësh të cilët nëpër një serë veprash e sidomos emisionesh dokumentare, mëtonin që ta largonin origjinën sllave nga gjeni historik, për ta çuar në antikë.
Siç e kam cekur edhe në shkrime të ngjashme më herët, qëllimi i këtij inxhineriungu identitar ka qenë i qartë dhe i shumëfishtë. Për kontestin e jashtëm me Bullgarinë, për të thënë se maqedonasit nuk janë popull i krijuar tash, sepse origjina e tyre është shumë më e lashtë se e sllavëve dhe bullgarëve. Për përdorim të brendshëm, të paraqiten si popull autokton dhe me këtë t’u bëjnë ballë argumenteve shqiptare se janë pasardhës të ilirëve, pra, ta relativizojnë ose madje dhe ta kontestojnë autoktoninë e tyre, siç dhe bënë shumë autorë në librat e tyre, ose madje dhe në librat shkollorë. Për t’ua marrë argumentin që pozitën e tyre kushtetuese juridike të mos e bazojnë në origjinën e këtillë.
Ndonëse në prapavijë ka qenë pra edhe kjo e dyta, duket se qëllimi primar është ndërtimi i një vetëdijeje të re nacionale, me largim rrënjësh (qoftë edhe në mënyrë artificiale) nga origjina sllave dhe njëkohësisht, edhe nga çdo mundësi asocimi me një origjinë të përbashkët me bullgarët.
Çështja është problem për shkak se gjithë këto, brenda një tridhjetëvjeçari “të kohës së re”, për të fshirë gjithë atë që ishte ndërtuar gjatë Republikës Socialiste të Maqedonisë, doemos do të jenë lëvizje tepër radikale.
Me gjithë faktin se një pjesë e këtyre çështjeve prekin edhe interesin shqiptar, ato para së gjithash janë edhe problem serioz i brendshëm maqedonas.
Historia e një populli është një rrugëtim i gjatë midis të kaluarës, të tashmes dhe synimeve të ardhmërisë. Populli maqedonas e krijoi shtetin e vet në rrethana historike ndryshe nga lëvizjet e mëparshme. Edhe pse tendencat për një autonomi, shtet, apo çfarëdo forme mëvetësie ishte zhvilluar që nga fundi i shekullit të 19-të, dhe kishte kaluar nga pushteti osman, pushtimi serb ose bullgar, që të përfundojë me ASNOM-in, kur u vunë themelet në rrethana krejtësisht të papritura nga ato lëvizjet e mëparshme. Nëse flamurtar i lëvizjeve ishte VMRO-ja historike (me të gjitha përplasjet e veta të brendshme) dhe orientimet (herë pro-bullgare e antiserbe, herë anti-bullgare…) dhe me shumë luftë të brendshme vëllavrasëse të organizatës për këto orientime, në fund, bajrakun ta marrë një ideologji e re që u ngrit mbi antifashzimin që solli te krijimi i Maqedonisë. Lideri i fundit i VMRO-së, Vanço Mihajllovi, pasi kishte spastruar radhët nga shumë veprimtarë, s’e krisi asnjë plumb “për Maqedoninë” gjatë okupimit!
Ndaj dhe fituesi i merr të gjitha, dhe komunistët fitimtarë të bluftës dhe krijues të shtetit, si me gomë deshëm të fshinë gjithë historinë e mëparshme.
Rënia e komunizmit dhe shpërbërja e ish-Federatës Jugosllave, krijoi për Maqedoninë mundësinë e jetësimit të idealit për shtet në kushte më demokratike. Në këto kushte u paraqitën edhe subjekte të reja që kishin qasje të re ndaj të kaluarës. E këtilla ka qenë VMRO-ja e Lubço Georgievskit, e cila në njërën anë ishte promotorë e referendumit për shkëputje nga federata, e në anën tjetër, lindën një varg dyshimesh për orientimin nacional të saj. Nuk ishte vetëm çështje akuzave të LSDM-së por dhe shërbimet e atëhershme e trajtonin me orientim pro-bullgar. Nuk mund të thuhet se gjithçka ishte sajesë shërbimesh. Një krah pro-bullgar edhe është identifikuar dhe ky krah kishte orientim anti-serb dhe për çudi, edhe anti-shqiptar. Kjo duhej të shkëpuste Maqedoninë dhe maqedonasit nga gjithë ajo që i lidhte me “historinë e përbashkët” të popujve të ish-Jugosllavisë, e këtu do të goditej edhe historiografia, që sipas disa politikanëve me nofkën nacionalistë, ka qenë e ndikuar nga hisotriaografia serbe. Edhe tash me të drejtë Georgievski vë në dukje shënimin e fitores së Betejës së Kumanovës, pasi çlirimi nga Perandoria Osmane pasohet nga okupimi serb.
Pa dashur ta ritregojmë gjithë historikun, qëllimi i këtij shkrimi ishte të rikujtojë disa ecuri të kohës më të re të shtendërtimit, ku vend të rëndësishëm zënë edhe simbolet: stema, flamuri, himni.
Jo rastësisht, partia më e madhe maqedonase që u krijua si subjekt i ri, VMRO-DPMNE, si simbol të vetin do ta zgjedhë luanin. Kjo zgjedhje e tyre me kthim në “simbolet burimore”, u dha argument oponentëve të tyre për ta quajtur si parti probullgare, edhe pse do të jepeshin sqarime se bëhet fjalë për dallime esenciale midis luanit të VMRO-së dhe luanit bullgar.
Paradoksi me identifikimin përmes simboleve partiake e gjer te ato shtetërore, do ta përshkojë gjithë periudhën tridekadëshe të shtetndërtimit, pasi do të tregohet si tepër problem të gjenden ato “adekuatet” si për shtetin, si për popullin apo popujt.
Dhe sot e kësaj dite, është një proces i papërfunduar! Stema u vu në rend dite, u hoq, flamuri i socializmit u ndërrua me tjetër, pastaj edhe ai u hoq, himnin e këndojnë maqedonasit, por si ta këndojnë shqiptarët? Problemi ka qenë dhe mbetet tendenca që simbolet shtetërore të jenë me ngjyrime një-etnike, që janë të papërshtatshme për bashkësinë e dytë etnike
(Përfundon në kolumnën tjetër)