E shtunë, 24 Maj, 2025
12.8 C
Skopje

Koncert grandioz – nga Dibra në Arbëri

Është për të theksuar faktin se në koncertin në fjalë ishin të pranishëm edhe shumë dibranë nga ana tjetër e kufirit, respektivisht nga Shqipëria, me që Dibra me kufirin është nda në Dibër të Madhe dhe në Dibër të Vogël

Vjollca SADIKU

Dibër, 7 maj – Pushteti vendor i Dibrës, me shumë aktivitete shënoi 620 vjetorin e lindjes të kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Aktivitetet filluan me vendosjen e kurorës në bustin e heroit kombëtar Skënderbeu i cili gjendet në qendër të Dibrës. Në prani të anëtarëve të Këshillit komunal, përfaqësues të institucioneve lokale, drejtorive të shkollave si dhe qytetarë të shumtë, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka foli për domethënien historike të luftës për liri kombëtare të heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Dibra është një nga territoret kombëtare ku Skënderbeu luftoi kundër Perandorisë Osmane. Dibra ishte dhe mbetet vatra kombëtare, ku pati beteja të suksesshme Skënderbeu”, tha Duka.

Më 2 mars 1444, Skënderbeu bashkoi princat shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, duke nisur betejën për liri! Dibra ishte një nga fortesat kryesore, ku ai shënoi fitore të lavdishme si Beteja e Torviollit dhe ajo e Dibrës. Në Qendrën për Kulturë në Dibër, u mbaj koncert madhështor me titull  “Nga Dibra në Arbëri” i cili po ashtu ishte në organizim të Komunës së Dibrës.

Në këtë koncert solemn të 620 vjetorit të lindjes të heroit tonë kombëtar Skënderbeu, u prezantuan artistët e mëdhenj Besiana Mehmedi – mezosoprane, Mariana Leka – soprano Mjeshtër i Madh, Rudina Ciko – piano, Xhevat Limani – aktor, pastaj kori “Akapella” me dirigjent Arifikmet Xhemaili, Maestreo Zhani Ciko – Mjeshtër i Madh, dhe akademiku Muhamet Mala – historian. Publiku dibran i cili mbushi në tërësi sallën e madhe të koncerteve të Qendrës për Kulturë përshëndeti koncertin dhe pjesëmarrësit me duartrokitje frenetike, si dhe me plot emocione për shkak të programit shumë profesional kushtuar heroit kombëtar Skënderbeut.

Është për të theksuar faktin se në koncertin në fjalë ishin të pranishëm edhe shumë dibranë nga ana tjetër e kufirit, respektivisht nga Shqipëria, me që Dibra me kufirin është nda në Dibër të Madhe dhe në Dibër të Vogël. Me rastin e 620 vjetorit të lindjes të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, aktivitete pati edhe në shkollat e komunës.

Në Dibër, ku shumë beteja realizoi heroi kombëtar kundër Perandorisë Osmane, deri tani heroit tonë kombëtar i janë ngritur dy shtatore. Busti i parë u ngrit në vitin 1942. Sipas të dhënave historike, më 25 shkurt 1942 u njoftua në shtypin e atëhershëm se në Dibër të Madhe po ndërtohej një bust i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me iniciativë qytetare.

Ai do të vendosej në sheshin kryesor të qytetit dhe parashikohej të inaugurohej më 12 prill – një datë që lidhej me përvjetor të rëndësishëm për regjimin e kohës. Kjo ngjarje dëshmon për ndjenjën e lartë atdhetare dhe përpjekjet e dibranëve për të nderuar heroin kombëtar.

Më 11 prill 1942, u zhvillua ceremonia zyrtare e përurimit të bustit, ku morën pjesë shumë qytetarë dhe autoritete. Fjalën e rastit e mbajti Shemsi Hatibi, kryetari i Bashkisë së Dibrës së Madhe, ndërsa të pranishmit i përshëndeti edhe Jup Kazazi, ministër në qeverinë shqiptare të kohës.

Në vitin 1953 sistemi komunist jugosllav rrënon këtë bust. Busti i dytë, i cili sot qëndron në sheshin që mban emrin e heroit kombëtar Skënderbeu, u përurua më 2 mars në vitin 2003. Rivendosja e shtatores së kryeheroit kombëtar me iniciativë të shoqatave të të burgosurve politik në Dibër dhe me përkrahjen e komunës, u festua jo vetëm nga dibranët, por edhe me shumë bashkëkombës nga trojet etnike shqiptare. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm