Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur për propozimin franko-gjerman rreth draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe
Konjufca ka theksuar se nëse dikush mendon se ky është një dokument përfundimtar i cili për Kosovën është merre ose leje, atëherë kjo i bie që Kosovës i është marrë një ingirencë shumë e rëndësishme shtetërore të cilën e ka të garantuar edhe me procesin e negociatave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që kemi arritur deri tash.
Konjufca ka thënë se kjo ingirencë ka bazë edhe në Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, e kjo është kompetenca që Kosova vetë me propozua draftin për Asociacionin.
“Nuk mundet në vend të Kosovës draftin për Asociacionin me propozua BE-ja, kjo i bie që BE-ja me ja grabit një kompetencë shtetërore Kosovës. Kompetencë që vetë Brukseli në negociatat që ka organizua vetë e ka të shkruar në njërën prej marrëveshjeve”, ka thënë Konjufca.
Kryekuvendari ka shtuar se BE-ja mundet me na kritiku me na thënë që jeni vonu me paraqit draftin, por prapë se prapë nuk ka pasur afat deri kur me paraqit.
“Vonesa nuk do të thotë me ja marr kompetencën Kosovës. Me ja imponu Kosovës në këtë mënyrë duke thënë se ky është dokumenti dhe nuk ka tjetër, mendoj që jo që nuk është fer ndaj Kosovës por është një qasje shumë diskriminuese e BE-së që Kosovën e trajton si jo shtet”, tha Konjufca.
Konjufca u shpreh se Kosova duhet ta mbroj të drejtën e vet deri në fund.
“Duhet të ulemi me BE-në dhe me qartësua se kush e ka këtë kompetencë. Unë mendoj që e ka Kosova, a jemi vonuar apo jo, ashtu kështu jemi nën masa të BE-së, mjafton kjo me pagua çmimin që jemi vonuar”, tha Konjufca, duke shtuar se kjo qasje e BE-së është mohim i shtetësisë së Republikës së Kosovës
Sa i përket masave të BE-së, Konjufca ka shtuar se nuk mendon që do të ketë masa shtesë.
“Por çështja është si t’i heqim ato ekzistuese që i kemi. Tashmë janë shtuar edhe zërat brenda BE-së që masat duhet të hiqen. Masat i kemi tash e një kohë por rezultatet që i shihni.. ne jemi në një situatë kur Serbia e ka hedhur poshtë Marrëveshjen e Ohrit. Për Serbinë Marrëveshja e Ohrit e ka emrin vetëm Asociacion i Komunave dhe ajo nuk do t’i zbatojë pikat e tjera. Prej letrës së Brnabiqit e deri te sulmi i Banjskës këto ia kanë shpallë vdekjen Marrëveshjes së Ohri. Tash çka është faji i Kosovës?”, ka shtuar tutje Konjufca.