Po punohet për projektimin e autostradave, për heqjen e predhave të pashpërthyera, si dhe kujdeset që të mos dëmtohet infrastruktura ekzistuese komunale, energjetike dhe e komunikacionit. Siç shkruhet në raport, objektet ndihmëse janë duke u ndërtuar, janë angazhuar gjithsej 1455 punëtorë, së bashku me ata të partnerëve, dhe u hoqën më shumë se 700.000 metra katrorë të shtresës së sipërme të tokës së papërshtatshme
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 dhjetor – Vazhdojnë financimet e shtetit për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar-Bukojçan . Pas ndarjes së parë për sivjet prej 21 milionë euro në nëntor, në fillim të dhjetorit nga ana e Ministrisë së Transportit janë transferuar edhe 7.5 milionë euro kompanisë publike “Rrugët e Shtetit” për konsorciumin “Bechtel&Enka”, për ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir. Me një vendim të dy muajve më parë, paralelisht me rishikimin e buxhetit, Qeveria zvogëloi paratë për këtë vit për “Beçhtel dhe Enka” nga 250 milionë të planifikuara në 67 milionë euro. Përderisa vetëm deri në fillim të muajit korrik, realizuesit amerikano-turk i janë paguar afër 230 milionë euro.
Nga “Bechtel&Enka” thanë se tashmë kanë angazhuar mbi 700 punëtorë vendas dhe se numri do të rritet në përputhje me dinamikën e punës. Në raportin e fundit mujor të “Bechtel&Enka”, dorëzuar në fillim të dhjetorit pranë Ndërmarrjes “Rrugët e Shtetit” si investitor, thuhet se as gjatë muajit tetor nuk ka filluar trasimi dhe asfaltimi.
Aktualisht punimet në Korridorin 8, në pjesën nga Gostivari në Bukojçan, po vazhdojnë me ndërtimin e dy urave, njëra në kilometrin e pestë dhe të shtatë. Në një kohë të shkurtër pritet të nisë punimet në urën në kilometrin e tetë. Në raportin mujor të “Bechtel&Enka” shkruhet se tani për tani janë duke u bërë vetëm matje gjeodezike, projektim, testim dheu dhe shpronësim. Po punohet për projektimin e autostradave, për heqjen e predhave të pashpërthyera, si dhe kujdeset që të mos dëmtohet infrastruktura ekzistuese komunale, energjetike dhe e komunikacionit. Siç shkruhet në raport, objektet ndihmëse janë duke u ndërtuar, po sigurohet dokumentacioni i nevojshëm si dhe materialet e ndërtimit. Janë angazhuar gjithsej 1455 punëtorë, së bashku me ata të partnerëve, dhe u hoqën më shumë se 700.000 metra katrorë të shtresës së sipërme të tokës së papërshtatshme.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, tha se disa procese janë gjallëruar dhe se autostradat nga Korridoret 8 dhe 10D do të përfundojnë në katër vitet e ardhshme.
“Pasi arritëm të lirojmë disa procese, dhe disa gjëra të nevojshme për të filluar punën, tashmë jemi në avantazh. Prilep-Manastiri duhet të përfundojë diku mes dy dhe dy vjet e gjysmë, le të themi më së shumti tre vite. Situata është e ngjashme me Tetovën-Gostivarin dhe Gostivarin-Bukojçanin, ndoshta një vit plus. Pra, këto do të jenë afatet”, thotë Trajanovski. Problemi kryesor muajt e kaluar ishte shpronësimi, i cili sipas marrëveshjes së datës 8 mars 2023, duhej të kishte përfunduar paraprakisht. Në 12 muajt e kaluar u shpronësuan 1117 parcela kadastrale , ndërsa vetëm në periudhën korrik-shtator nën menaxhmentin e ri u shpronësuam 2432 parcela. Pritet që shpronësimi të zgjidhet plotësisht deri në fund të vitit me qëllim që “Behtel&Enka” të mund të punojnë pa pengesa, thonë nga Ndërmarrja shtetërore e Rrugëve.
Traseja nga Gostivari, në fakt apo anashkalon qytetin e Gostivarit, lëviz mbi lumin Vardar, shkon në tri ura të mëdha që shkojnë në të majtë të Strazhës, anashkalon Strazhën, shkon përgjatë malit dhe del në anën tjetër në vendin e Bukojçanit.
Nga Bukojçani mbi Kërçovë, ndërmarrja “Rrugët Shtetërore” është në parapërzgjedhje për kontraktorin e autostradës së re, e më tutje nga Kërçovë deri në Ohër, autostrada tashmë është në ndërtim e sipër. Gostivar-Bukojçan është seksioni i dytë nga të katërt në Korridorin 8 dhe 10D, të cilët kanë një gjatësi totale prej 110 km. Sipas projektit, pjesa Tetovë-Gostivar është e gjatë mbi 17 km, Gostivar-Bukojçan 30.3 km, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë janë 22 km autostradë, ndërsa Prilep-Manastir janë 40 km aks modern rrugor. Deri në muajin maj-qershor 2025 pritet të vihen në përdorim rreth 40 kilometra autostradë në shtrirjen nga Vërbjani deri në Ohër. Në tërësi, autostrada nga Kërçova deri në Ohër pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026. (koha.mk)