E martë, 25 Mars, 2025
15.8 C
Skopje

Korrupsioni bën kërdi tek prokurimet publike 

Vlera e lartë e kontratave të lidhura nga prokurimet publike kapi 1.5 miliard euro, në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin jashtëzakonisht  të ulët të ofertave. Nëse mesatarja e ofertave për tender ishte 2.7, një e treta e tenderëve është fituar me vetëm një ofertues. Mungesa e konkurrencës shpjegohet me favorizimin e dokumenteve të tenderit dhe humbjes së besimit të sektorit të biznesit në konkurrencë të ndershme të prokurimit, sipas një hulumtimi më të fundit 

 

Evis HALILI

Shkup, 30 shtator  – Edhe pse prokurimet publike gjatë vitit të kaluar kapën shifra rekord me lidhjen e  kontratave në vlerë të përgjithshme prej 1,5 miliardë euro (35 për qind më shumë se në 2022), konkurrenca shënoi rekord tjetër sa i takon numrit të ulët të ofertave. Sipas monitorimit të prokurimeve publike, kryer nga Qendra për komunikime civile, numri mesatar i ofertave për tender ishte 2,7. Por ka raste ku një e treta e tenderëve është marrë vetëm një ofertë.

“Mungesa e konkurrencës është pasojë e favorizimit të dokumenteve të tenderit dhe humbjes së besimit të sektorit të biznesit në konkurrencë të ndershme të prokurimit”, konkludojnë nga QKQ. Indeksi i racionalitetit zbulon dallime të mëdha në çmimet me të cilat institucionet blejnë të njëjtat produkte dhe shërbime. Kështu, për shembull, të njëjtat licenca për softuer kompjuterik blihen me çmime nga 6.185 deri në 23.100 denarë. Kjo është arsyeja që thuajse gjysma (41 për qind) e personave të ngarkuar me prokurimet publike nga institucionet shtetërore besojnë se shpesh ka korrupsion në prokurimet. Shumica prej tyre thonë se korrupsioni është më i përhapur si rezultat i interesave politike dhe se kompanitë janë gjenerues më i madh i korrupsionit sesa njerëzit në institucione”, tregojnë gjetjet e hulumtimit të kryer nga Qendra për Komunikime Qytetare.

Analizat tregojnë gjithashtu se 51 për qind e kompanive që marrin pjesë në prokurimet publike konsiderojnë se në prokurimet ka korrupsion, ndërsa me te personalisht janë përballur 23 për qind e kompanive të përfshira në hulumtimin. Baza e të dhënave për prokurimet publike të komunave, megjithatë, zbulon se në vitin 2023, komunat kanë shpenzuar 40 për qind më shumë para për prokurim se në vitin paraprak dhe se vetëm dhjetë kompani kanë marrë 25 për qind të vlerës së të gjithë tenderëve. Nga ana tjetër, 13 komuna shpenzojnë për prokurimin publik sa të gjitha 68 komunat e mbetura së bashku. Nga totali i vlerës së  shpenzuar për prokurimin publik nga gjithsej 81 komunat, rreth një e treta i takojnë komunave të Shkupit dhe qytetit të Shkupit. Vlera vjetore e blerjeve në kryeqytet, gjegjësisht qytetin e Shkupit dhe 10 komunat e Shkupit, arrin në 53 milionë euro. Kjo është 13 milionë euro më shumë se në vitin 2022.

Pesë nga dhjetë njësitë e para të qeverisjes lokale me vlerën më të lartë të tenderëve janë nga Shkupi. I pari është Qyteti i Shkupit, me rreth 19 milionë euro. E dyta është Manastiri me rreth 8 milionë euro, pasuar nga Qendra në Shkup me 6.3 milionë euro dhe Gazi Baba me gati 6 milionë euro. Shtipi, Kumanova, Gostivari dhe Strumica janë në vendin e pestë deri në tetë me blerje rreth 5 milionë euro, ndërsa listën prej dhjetësh e plotësojnë sërish dy komunat e Shkupit me blerje prej 4.6 milionë euro, Aerodrom dhe Karposh. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm