E enjte, 7 Nëntor, 2024
2.8 C
Skopje

KORRUPSIONI NË BALLKAN: Reforma zhgënjyese!

Koalicioni SELDI, i cili vëzhgon korrupsionin dhe qeverisjen në Europën Juglindore, thekson në raportin më të fundit se reformat kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur ndonjë përmirësim thelbësor

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 27 tetor – Koalicioni SELDI, i cili vëzhgon korrupsionin dhe qeverisjen në Europën Juglindore, thekson në raportin më të fundit se reformat kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur ndonjë përmirësim thelbësor. Pavarësisht reformave të ndërmarra për integrim në BE, qytetarët ende e cilësojnë korrupsionin si një prej problemeve kryesore të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen mosndarja e pushteteve, mungesa e rezultateve të drejtësisë, ndërhyrjet politike dhe integriteti i dobët i sektorit publik, thuhet në raport.Sipas raportit të publikuar, Shqipëria ka normat më të larta të rryshfetit, presionet më të larta të zyrtarëve për të marrë rryshfet dhe viktimizimin më të lartë të qytetarëve prej korrupsionit. Sipas gjetjeve të raportit pas Shqipërisë pasojnë Bosnja dhe Maqedonia. Në raportin më të fundit të koalicionit SELDI mbi korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor thuhet po ashtu se vijon një ngecje (stanjacion) në reformat e antikorrupsionit.

Shqipëria mban vendin e parë në rajon për normat më të larta të ryshfetit (40 për qind), pas saj vijnë Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja-Hercegovina, e në fund Kosova dhe Mali i Zi me normat më të ulëta të ryshfetit (10 për qind). Në Shqipëri, po sipas raportit, janë presionet më të mëdha të zyrtarëve ndaj qytetarit për të dhënë ryshfet (52 për qind), pas saj vijnë Maqedonia e Veriut (31 për qind), Serbia (26 për qind), Bosnja e Hercegovina (24 për qind) e në fund Mali i Zi (11 për qind) dhe Kosova (7 për qind).

Stagnimi i optimizmit antikorrupsion është në kontrast me zhvillimet formale që shfaqin qeveritë e Ballkanit Perëndimor – strategjitë, planet e veprimit, komisionet, etj. Fakti që besimi në synimin dhe kapacitetin e qeverive për të reduktuar korrupsionin është rritur tregon se efektiviteti i këtyre marrëveshjeve formale është ende duke dështuar. Megjithatë, gjetjet tregojnë se ekziston një zonë e konsiderueshme elektorale (40%-50%; përjashtim bën Shqipëria, ku optimizmi ka rënë në 20%), e cila duhet të mobilizohet për një lëvizje sociale me bazë të gjerë për të mbështetur një fokus antikorrupsion. Kjo shumicë zakonisht kërkohet rreth zgjedhjeve (p.sh. së fundmi në Maqedoninë e Veriut), gjatë të cilave kundërshtarët politikë nisin fushata bujare kundër korrupsionit të pushtetarëve, të cilat më pas zbehen shpejt kur përballen me realitetet e institucioneve të kapur dhe mungesën e kapacitetit zbatues. Në këtë aspekt, roli i BE-së mund të jetë të ndihmojë në mbajtjen dhe nxitjen e lëvizjeve të tilla sociale përmes mbështetjes së shtuar për shoqërinë civile dhe veprimeve më të guximshme politike. Në fakt, mund të pretendohet me një shkallë të lartë sigurie se duket se BE-ja deri tani ia ka dalë mbanë në këtë mision. Shtimi i presionit politik më të drejtpërdrejtë megjithatë ka munguar dhe ka lejuar rikthimin në kapjen e shtetit.

Fitoret vendimtare të pushtetarëve të fortë në Serbi dhe Shqipëri nuk kanë rezultuar në përparime kundër korrupsionit, por në rreziqe më të larta të kapjes së shtetit dhe më shumë kontroll mbi median. Konkurrenca politike në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar më shumë pritshmëri për reforma të guximshme, por ende nuk ka ndikuar pozitivisht në kapacitetin antikorrupsion. Bllokimi i vazhdueshëm në institucionet e qeverisë federale në Bosnje dhe Hercegovinë e ka bërë vendin me një ngecje kundër korrupsionit në rajon.

Në vlerësimin e nivelit të korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor nga Sistemi SELDI i Monitorimit të Korrupsionit, doli se politikat antikorrupsion në rajon nuk priren të prodhojnë një efekt të qëndrueshëm, ndërsa institucionet publike dhe partitë politike po bashkohen me rrjetet e kapjes së shtetit që rrëmbejnë vendimmarrjen e qeverisë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm