E martë, 11 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

Korrupsioni nuk zhduket lehtë!

Aktualisht ka ende një qëndrim se korrupsioni është i përhapur. Në shkallën nga 1 deri në 5, ku 1 do të thotë se mungon korrupsioni dhe 5 do të thotë se është i përhapur gjithandej, qytetarët kanë dhënë notën mesatare 4, theksohet në hulumtim. Rekord edhe kësaj radhe ishin gjyqësori dhe prokuroria, me 69% të qytetarëve që besojnë se në radhët gjykatësve ka më shumë korrupsion

Besa IBRAIMI

Shkup, 28 janar – Korrupsioni në vend po rritet! Kështu mendojnë 32.3% e qytetarëve, ndërsa vetëm 24 për qind mendojnë se ryshfeti po shënon ulje. Anketa e realizuar nga Instituti për Hulumtime Publike në bashkëpunim me organizatën “Detektor” tregon se Lista e Zezë amerikane megjithatë ka ndikim në lidhje me inicimin e hetimeve dhe proceseve gjyqësore lidhur me korrupsionin e zyrtarëve të lartë në vend. “Në anketën e bërë nga 24 deri më 27 dhjetor 2024, me 1066 të anketuar, gjithsej 54.2% kanë dhënë mendim pozitiv për ndikimin e të ashtuquajturës Lista e Zezë”, thuhet në hulumtimin e IHP dhe Detektor, ndërsa janë vlerësuar pozitivisht përpjekjet e SHBA-ve për të mbështetur luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.

“Ka një rritje krahasuar me përgjigjet për të njëjtën pyetje në vitin 2023. Konkretisht, nga 38.7% që dhanë një vlerësim pozitiv dy vjet më parë, në 47.3% që dhanë një përgjigje pozitive në sondazhin e fundit. Gjithashtu, ka njëfarë optimizmi për trajtimin e korrupsionit, ose 32,2% besojnë se korrupsioni në vend po rritet, ndërsa para dy viteve – këtë përgjigje e kanë dhënë 63% e të anketuarve. 24.8% e qytetarëve besojnë se korrupsioni është në rënie, krahasuar me vitin 2023 kur këtë qëndrim e kishin vetëm 9.3% e të anketuarve”, thuhet në hulumtim.

Pothuajse dy e treta e qytetarëve besojnë se Qeveria ka synime të sinqerta për t’u marrë me korrupsionin. Këtë përgjigje e kanë dhënë 58.7% e të anketuarve, ndërsa 29.8% e të anketuarve kanë pasur qëndrim negativ ndaj synimeve të qeverisë në këtë drejtim. “Aktualisht ka ende një qëndrim se korrupsioni është i përhapur. Në shkallën nga 1 deri në 5, ku 1 do të thotë se mungon korrupsioni dhe 5 do të thotë se është i përhapur gjithandej, qytetarët kanë dhënë notën mesatare 4”, theksohet në hulumtim. Rekord edhe kësaj radhe ishin gjyqësori dhe prokuroria, me 69% të qytetarëve që besojnë se në radhët gjykatësve ka më shumë korrupsion.

“Së bashku me ata 18% që thonë se ka njëfarë korrupsioni, bëjnë gjithsej 87% që besojnë se në gjyqësor ka korrupsioni, që është një rritje e madhe krahasuar me vitin 2023. Në atë kohë, gjithsej 79% besonin se kishte korrupsion në gjyqësor. Edhe atëherë edhe tani, vetëm 2.2% kanë thënë se nuk ka korrupsion në gjyqësor dhe në prokurori. Të pyetur për zbulimin e burimeve të korrupsionit, qytetarët në radhë të parë vendosin gjyqësorin dhe prokurorinë, pasuar nga partitë politike dhe i treti është sektori i shëndetësisë”, thuhet në hulumtim.

Përveç perceptimit, qytetarët në anketë kanë deklaruar se janë përballur personalisht me korrupsion. Çdo i treti i anketuar e ka gjetur veten ku i kërkohej ryshfet ose personalisht ka ofruar ryshfet në një situatë ku nuk ka parë asnjë mënyrë tjetër për ta kryer punën. “Këtu ka një rritje në krahasim me shifrat e anketës së fundit, rritje nga 28,8% në 32%, të cilët drejtpërdrejt dhe personalisht thonë se janë përballur me korrupsionin”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm