Kreu i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, në një bisedë që ka zhvilluar me mediumin francez ”AFP” rreth marrëveshjes që Kosova ka bërë me Danimarkën për dhënien e qelive të burgjeve me qira, ka konfirmuar se Kosova është vërshuar me shumë kërkesa të tjera nga vende të shumta evropiane.
Dibrani ka treguar se këto shtete kanë ofruar edhe shuma të majme parash për arritjen e marrëveshjeve, megjithatë thotë se Kosova s’ka shqyrtuar fare ato kërkesa deri më tani.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, morëm kërkesa të shumta nga vendet evropiane për shuma të mëdha parash. Por ende nuk i kemi diskutuar ato”, shtoi ai. “Ne tashmë kemi shumë punë për të bërë për vendin tonë.”, ka thënë Dibrani për AFP-në, transmeton Express.
Ai gjithashtu ka treguar se Kosova ka kapacitete nëpër burgjet e saj , meqë nga 2800 qeli sa janë, vetëm 1800 janë të zëna me të burgosur.