Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Ylli Buleshkaj, ka bërë të ditur se mbi 220 zyrtarë publikë nuk kanë deklaruar pasurinë në kohë, ndërsa dhjetëra të tjerë ende nuk e kanë kryer këtë obligim ligjor.
“Ne i kemi njoftuar më shumë se një herë. Kemi tentuar të paktën tri herë t’i njoftojmë përmes emailit. Afati përfundimtar është 24 maji, pastaj procesi mbyllet dhe fillon verifikimi”, ka theksuar Buleshkaj në TvDukagjini.
Ai ka paralajmëruar se vonesat deri në 15 ditë ndëshkohen me gjobë deri në 30% të pagës, ndërsa ata që vonohen më shumë përballen me procedura penale.
Buleshkaj ka theksuar se janë mbi 20 zyrtarë që nuk e kanë kryer ende këtë obligim, përfshirë një kryetar komune dhe disa këshilltarë ministrash.
“Janë më shumë se 20 që nuk e kanë kryer këtë obligim. Nuk kemi nivel shumë të lartë të zyrtarëve publik, nga ata që janë vonuar të paktën kemi një kryetar komune, por ai është niveli më i lartë. Kemi këshilltar të ministrave , por nuk kemi as shef kabineti as pozita të larta drejtuese”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, viti i kaluar ka sjellë rreth 100 gjoba, të cilat janë zbatuar. (Indeksonline..net)